Nga Klodi Meshi
Tashmë në qytete të bukur ose më pak të tillë, ndiqet tendenca për të përqëndruar vëmendjen mbi situatat me prejardhje nga lashtësia apo mesjeta. Pallate dhe kisha të vjetra, por pastaj… pastaj fiton njeriu!
Në këtë mënyrë lind kurioziteti për të kuptuar se kush janë banorët aktualë e kush i ka ndërtuar këto mrekulli? Nuk mund të mohohet që të lënë përshtypje ajo kategori njerëzish që të bëjnë të kuptosh sesi ecën njerëzimi, për shembull sipas veshjeve: Këpucë të çuditshme apo ato me shumë shkëlqim. Pjesa më e madhe e grave, duken pa rrudha me modelin e flokëve sipas show-girl, burrat në një atmosferë jo krejt të përqëndruar…
Nuk është e qartë nëse janë të kënaqur me zgjedhjet e tyre në jetë, përveçse me këpucët që mbajnë veshur, i mbajnë sytë mbi ‘to në vazhdimësi, Duket se jetojnë mirë, nuk ka të keq, mirë shumë!!!
‘Jo gjithçka që shkëlqen është flori’… Italianët kanë një shprehje që mat përmasat e asaj asaj që shkëlqen me atë që vlen. Nëse gjendesh në një qytet të vogël, pothuaj provincë ku sheh pak njerëz të mbajnë orendi të florinjta apo shumë të kushtueshme, ku pothuaj të gjithë njësoj, pa një theks të fortë në të folur, syze me skeletë të trashë plastikë, vitrina dyqanesh që tregojnë pak përveç bizhuterivë prej xhami e plastike që godasin syrin, aroma të forta parfumesh të hedhura edhe në stinën e ngrohtë, pëllumba të bukur e me kurajo, shitëse dhe kamarierë të sjellshëm, libraritë të pozicuanuar në cepa rrugësh… atëherë kurioziteti shtohet!!!
Dukshëm është më e qartë situata e djemve me ngjyrë, kanë gjithnjë një qëndrim prej krenarësh, ata nuk vishen me rroba të vjetra, janë gjithnjë të shoqëruar me njëri-tjetrin. ‘Kanë ardhur këtu prej disa kohësh’, ky është zëri i nënsfondit që shoqërohet me një buzëqeshje të padeshifrueshme përkundrejt të gjithëve.
Pastaj duket ajo, është Paola, Paola di Credico, sy të mëdhenj të kaltër, flokë të drejtë gjysmë gri, elegante në mënyra, pothuaj e drejtëpërdrejtë, serioze në fjalët që dalin nga goja e vogël, në kohë të shkuara kjo konsiderohej një gojë e bukur; nuk është e gjatë as e shkurtër, rrudhat e saj edhe ato të thellat nuk kanë mundur të devijojnë linjat e fytyrës; vjen e veshur si për punë por edhe tërthorazi, ka gjithnjë pak pluhur të bardhë mbi rroba e pak edhe mbi këpucë.
Paola qëndron e ulur në një karrigë përballë një tavoline, të vogël, diku nën njërën nga portat harkore të rëndësishme të qendrës historike të qytetit, duket se nuk dëshiron të bezdisë askënd, ajo i jep forma disa gurëve, karakteristikë të zonës, guri leçez, duke i dhënë njëherësh forma jete si breshka, bufë, zemra, kafshë të vogla të ndryshme siç tradita e lehtë e gjeometrike e barokut të vendit. Guri ka gjithnjë vlerë!
Paola me veglat e saj, dorezat që vë e heq shpesh me qëllim që jeta që ‘prodhon’ të jetë më e vërtetë, prek drejpërsëdrejti, përkëdhel, transmeton energji nga trupi, krejtësisht para të gjithëve, njerëzve. Nuk shformon, por me duart e saj nënvizon atë që vlerëson nga Natyra, krijesat e pafajshme që ashtu siç gjithçka tjetër, zbukurojnë tokën.
Paola tërheq vëmendjen e turistëve, ajo argëtohet për pasojë duke i klasifikuar ata, në të thjeshtë: ato të vendeve ish-komuniste të cilët bljenë pothuaj menjëherë e pastaj turistët më të vështirë ata të Evropës së Vjetër të cilët bëjnë shumë pyetje, kërkojnë informacione, para se të zgjedhin.
Paola nuk e fsheh se do donte t’i shiste më shumë prej punëve , bashkëqytetareve të saj, por kënaqësia që merr nga njerëzit e të gjithë botës, sic nga një familje nga Malajzia, përmend, e bëjnë t’i shndrisin sytë. Shqiptarët që jetojnë këtu, blejnë pak, me gjasë mbajnë në shtëpi statujëza të Gjergj Kastriotit apo Nënë Terezës, duket të jetojnë në hapësira të ngushta.
Jemi në qytetin e Leçes, qytet barok, me një histori të lashtë, historinë e Mesapeve, njërit prej 72 fiseve ilire. Karakteristika e tyre, më e rëndësishme? Kalorësia.
Guri leçez bën pjesë në krenarinë salentine, mbase më shumë se kërcimi ‘pizziica’ dhe kërcimet e mistershme të fshatrave përreth. Baroku i këtij qyteti ka një histori e cila ka të bëjë me ndikimin dhe dominancën e Aragonëve, baroku spanjoll, baroku i shekullit të XV, aristokracia spanjolle, miqtë e Gjergj Kastriotit i cili ka luftuar pikërisht edhe në Salento kundër Osmanëve, para disa shekujsh. Pasardhësit e tij kanë trashëguar kështjella, pallate por më tej kanë ndërtuar edhe kisha.
Kam parë personalisht Shën Françeskun e Paolës, (San Francesco da Paola) në Galiano del Kapo (Gagliano del Capo), dikur në pronësi të Mbretëreshës Andro-Donika Kastrioti; një ballkon si ato të kështjellave tona dhe shunë energji, disa ngjyra më të errëta si për të dëshmuar origjinën nga Veriu i Shqipërisë, Gadishulli Ilirik i Mbretit Gjergj.
Me këtë gur janë ndërtuar pallate aristokratësh, amfiteatro, kisha të zbukuruara me elementë të ndryshëm ku si dëshmi, nuk mungojnë dy shqiponjat që fluturojnë mbi dy ëngjëj, në kishën e Shën Filip Smaldone ( San Filippo Smaldone), një shenjt i qytetit; e nderojnë.
Nën një vështrim historik të argumentit, mund të thuhet se bëhet fjalë për një qytetërim ilir, të urtët e vendit vendosnin organizimin e shoqërisë deri në detajet e jetës. Ata merreshin me të ardhmen e fëmijëve ( ishin të interesuar të kryheshin martesa jashtë gradës së shtatë të gjakut), por edhe me rrebelimin kundër Romës, grekëve, nën pazmoren dhe thembrën e heroit të luftës së Trojës, Akilit! Edhe në muzetë e tyre, pjesë amfitetrosh, këto janë elementë të qartë, sigurisht që ka edhe më shumë…
Paola, si e vogël, në skulpturën e gurit leçez, me modesti tregon se ndër paraardhësit e saj ka pasur edhe skulptorë. Nuk është rastësi, Paola, ajo është aty për t’a dashur gurin, për t’u shprehur në ‘të, për të mos e lënë të hedhur tej, por për t’a trajtuar me kujdes siç e meriton çdo gjë e pafajshme. Në një bar të thjeshtë, ajo më ka shpjeguar, se ky gur është përdorur për të ndërtuar të gjithë qytetin, guri leçez i brizhdë , është përdorur për të mbushur dhe krijuar ornamente mbi muret shumë-kulturorë.
Nuk mungojnë në të vërtetë, elementë të kulturës arabe, kanë kaluar këtu, pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skendërbeut, i akuzuar nga Giovanni Antonio Orsini del Balzo, princ i Tarantos se ‘ka sjellë luftën në këto anë’, duke luftuar osmanët’. Paola, me një ton zëri që tregon origjinën e saj edhe nga Veriu i Italisë, më ka shpjeguar që këto ndërtesa në bazë kanë një tjetër gur, më të fortë, të njohur si karparo, gur gjithnjë kalkarenitik, detar sic ai leçez, magnetik i cili në lashtësi ishte i njohur gjerësisht në përdorimin e ndërtesave si në piramidat: ‘ Karparo i lehtë, e ai më i lehtë që arrin të bashkojë katër cepat e kupolës, në një yll, pra të gjithë ndërtesën!’
Ka gjithnjë një burim frymëzimi për çdo akt të dëshiruar. Për Paolën ka qenë ‘Kopshti i Bomarcios’ (Giardino di Bomarzio) në Viterbo, Lacio ( Lazio), ku skulpturat gjigande të kafshëve të ndryshme i atribuohen Pirro Ligorio-s, vizatimet dhe skulpturat Simone Moschino-s ndërsa kështjella dhe ambjentet përreth i përkasin familjes Orsini, pjesë e të ashtuquajturës’ aristokraci e zezë’.
Paola i jep jetë bufëve, breshkave, yjeve dhe zemrave të vogla duke vënë në zbatim pasionin e saj për elementët femërorë që merr guri i cili përmban fragmente guackash dhe mëmë-perlash (madreperla); ‘Sa më shumë lakohet guri aq më shumë shpreh format delikate, flokët, lëkurën me shkëlqim të një gruaje të detit’, këtë tha pastaj Paola.
Shumëkush ka një dëshirë për bisedë me njerëzit që i dedikohen pasioneve dhe talentit të tyre; është më e thjeshtë nëse ata nuk janë të pasur, veçanërisht nëse janë më pak të llastuar. Paola duke më folur për dobësinë e saj, detin, me të cilin ka një lidhje të fortë, më ka thënë se për dhjetë vjet nuk ka gjetur kurajën, t’a prekë.
-Pse? Sepse ajo ka parë fëmijë që vinin nga Shqipëria, me gomone, të hedhur ne det. Ka parë prindër që rrinin pa folur kur rojet bregdetare pyesnin : ‘I kujt është ky fëmi?’ Për t’i shpëtuar i është dashur të mohonin fëmijët e tyre. Kishte raste kur të rriturit i rikthenin në Shqipëri. Të largohesh e të kthehesh përsëri në Shqipëri, është sfida më e rëndë, më mirë të vdesësh në ujërat italiane! Këta janë kufijtë e fjalës që me marrëveshje njerëzia e ka quajtur, tragjedi! Shekspiri nuk ka thënë asgjë!
Paola i kishte sytë me lot, më parë se unë, unë si shqiptare nuk di për çfarë të përlotem më parë! Ajo nuk e ka prekur ujin e detit për dhjetë vjet, ka kryer kështu aktin e saj të drejtësisë, e ka ndjerë! Përlotem sërish, më shumë! ‘Duhet të jem e fortë si ajo’, mendova!
Paola ka mbetur artiste dhe e dashur por edhe me kurajo! Si ia ka dalë?! Është përqëndruar shumë në atë që i pëlqen shumë, ka përpunuar me duart e saj gurin leçez, duke realizuar në mënyrë perfekte sytë e bufit. ‘Nëse nuk i jap jetë këtyre syve, nuk merrem me asgjë tjetër. Madje e di shumë mirë kush do të jetë klienti që do blejë saktësisht njërin nga bufët. Janë të veçantë, kanë sy prej guri, por arrijnë të shohin kudo, saktësisht si bufi…’, më ka shpjeguar Paola, duke shtuar se shet shumë edhe zemra të vogla sepse edhe këto nuk janë më prej guri, nuk janë të çuara dëm, por vijnë nga natyra për të pasur një vend mbi një mobilje ose në një qese kujtimesh nga vera e shkuar, për të pohuar historinë e Paolës që argëtohet dhe jeton me ‘to, por edhe të këtij qyteti që duket më pak i frikshëm, kur njeh gra si Paola.
Publikuar në leccenews24.it



