Nëse vini re se shpesh zgjoheni natën për të shkuar në tualet, ka shumë të ngjarë që nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Mjekët sigurojnë se nëse zgjoheni vetëm një herë në natë, konsiderohet krejtësisht normale, veçanërisht nëse jeni nën 60 vjeç.
Nokturia, pra nevoja për të urinuar gjatë natës, mund të jetë për shkak të faktorëve të ndryshëm, të lidhur me faktorë të jetës së përditshme. Një prej tyre është pirja e ujit shumë vonë gjatë natës ose pijet me kafeinë gjatë ditës. Pra, disa ndryshime të thjeshta mund ta rregullojnë problemin.
Megjithatë, nëse vizitat në tualet janë më të shpeshta, kjo mund të tregojë ekzistencën e sëmundjeve të ndryshme. Këto mund të variojnë nga probleme të thjeshta, si infeksionet e traktit urinar, deri te ato më serioze, si diabeti, hipertensioni, kanceri i prostatës apo edhe problemet e zemrës.
Si ndryshon me moshën
Vlen të theksohet se ajo që konsiderohet “normale” për sa i përket shpeshtësisë së urinimit gjatë natës ndryshon me moshën, pasi ndryshojnë nevojat e trupit. Për mbi të 70-at, dy herë në natë është normale, sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Britanisë (NHS). Këto vizita mund të dyfishohen sapo të arrini të 90-at.
Kur është shenjë e sëmundjes?
Megjithatë, nëse urinimi i shpeshtë shoqërohet me simptoma të tjera, mund të jetë një shkak për shqetësim dhe një paralajmërues i një gjendjeje kronike. Në veçanti, rritja e ndjenjës së etjes, humbja e peshës dhe shikimi i paqartë i kombinuar me vizitat e shpeshta në tualet, mund të jetë një shenjë e diabetit.
Nëse nevoja e shpeshtë për të urinuar shoqërohet me dhimbje gjoksi, ënjtje të kyçeve të këmbëve dhe djersitje të shtuar, mund të jetë shenjë e një sëmundjeje të zemrës.
Së fundi, nokturia mund të jetë për shkak të infeksioneve të traktit urinar. Zakonisht shoqërohen me një ndjesi djegieje, si dhe me urinë të turbullt ose me aromë të pakëndshme. Shkaqe të tjera të mundshme përfshijnë gurët në veshka, medikamente të caktuara, çrregullimet e gjumit ose pirjen e shumë lëngjeve.
Si rregullohet?
Për trajtimin e nokturisë, rekomandohet të reduktohet konsumi i kafeinës, pijeve të gazuara dhe alkoolit, shmangia e pirjes së sasive të mëdha të lëngjeve në orët e mbrëmjes, si dhe kufizimi i dietës me përmbajtje të lartë proteinash, veçanërisht në orët e vona të natës.
Po aq e rëndësishme është mbajtja e zakoneve të mira të gjumit. Nokturia mund të lidhet me cilësinë e dobët të gjumit, pasi kur jeni zgjuar ose në gjumë të lehtë, keni më shumë gjasa të perceptoni nevojën për të urinuar. Megjithatë, nëse vini re se jeni duke vizituar tualetin më shpesh se zakonisht gjatë natës, ekspertët rekomandojnë që të konsultoheni me mjekun tuaj për vlerësime të mëtejshme.