spot_img
spot_img

Vlora Hyseni nuk është rasti i parë, Altin Dumani hetoi dhe ngriti akuzë ndaj ish-shefit të SHISH, Fatos Klosi

spot_img

Gazetari Elton Qyno ka risjellë një detaj interesant lidhur me hetimin ndaj Vlora Hysenit dhe prokurorit të dosjes, Altin Dumani.

Ai tha në Top Story se Altin Dumani, prokuror i SPAK, nuk po përballet për herë të parë me një drejtues të Shërbimit Informativ të Shtetit.  Përpara dosjes ndaj Vlora Hysenit, Dumani ka pasur një përballje edhe me ish-drejtuesin e SHISH, Fatos Klosin.

“Ish-shefin e SHISH, Fatos Klosin e ka hetuar dhe më pas dërguar në gjyq, Altin Dumani, për ironi. Klosi ka marrë pafajësi nga gjykata për akuzën e shpërdorimit të detyrës për 15 tendera. Vijmë sërish tek Altin Dumani por kësaj here me Vlora Hysenin, drejtuesen e SHISH”, tha gazetari Elton Qyno në Top Story.

Dy çështjet janë të ndryshme, por kanë si pikë të përbashkët përfshirjen e drejtimit të SHISH-it në procese hetimore të ndjekura nga Dumani.

Në vitin 2003, kur ishte prokuror në Tiranë, Dumani hetoi ish-drejtorin e SHISH-it, Fatos Klosi, për shpërdorim detyre lidhur me administrimin e fondeve të institucionit.

Çështja përfundoi në gjykatë, ku Prokuroria kërkoi dënimin e Klosit me 1 milion lekë gjobë. Por një vit më vonë, Gjykata e Tiranës e shpalli Klosin të pafajshëm.

Më shumë se dy dekada më vonë, emri i Dumanit rikthehet në një çështje që prek drejtimin e SHISH-it.

Vlora Hyseni, tashmë ish-drejtuese SHISH akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.

Emri i Vlora Hysenit u qarkua nga prokurorët gjatë analizimit të të dhënave e siguruara nga hetimit i dosjes “AKSHI”, duke ngritur dyshime për favorizime prej Hysenit të biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar një muaj më parë.

Për llogari të të njëjtit hetim, urdhër të GJKKO, mëngjesin e së martës u ushtruan kontrolle në disa ambiente ne Tiranë e Durrës, përfshirë banesën e Ilir Prodës, ish-drejtuesin e Policisë së Shtetit. Përveç kontrollit, Proda dha deklarime për gati 2 orë në SPAK, godinë nga e cila doli në një gjendje emocionale jo shumë të qetë.

Veç masës ndaj Hysenit dhe kontrollit të Prodës, gjykata urdhëroi arrestimin e shefit të Laboratorit të Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani. Ata dyshohet se kanë dëmtuar disa pamje filmike në të cilat shfaqej biznesmeni Agasi gjatë qëndrimit në arrati.

Lajmet e fundit