Nga Martin Leka
Ky ishte lajmi i të gjitha mediave, të mëdha e të vogla, televizive e radiofonike, online e të printuara.
Tek rrugica e Salës, aty ku ka shtëpinë e gjendet në arrest, shkoi në ritualin e pasdites së cdo dite të foltores edhe Gaz Bardhi.
Kamerat e kishin fokusuar dukshëm, duke lënë në hije ata që cdo ditë bëhen kallkan poshtë ballkonit të Berishës.
Gazi dukej i vetëkënaqur, si lider, triumfator. Dallohej në gjestikulacione se ishte “stari” i rrugicës së “shpresës” mes disa dhjetëra fansave që shumica regjistrohen e bëjnë selfie që një ditë, me shpresë, ta kenë si “portofolin” e një krediti që do tu duhet për një punë në shtetin medemek të Foltores.
Se pse u bë lajm Gazi që shkoi poshtë ballkonit të Berishës, s’e kam kuptuar. Ndoshta në rutinën e bezdisëshme e të varfër politike, kjo mund të justifikohet.
Gaz Bardhi sot duket si një avion pa pistë. Do të duhet një gjeni të interpretojë sjelljet antropologjike të politikanëve të tipit të Gazit. Ishte vartësi kryesor i Lulzim Bashës. Sekretar i Përgjithshëm. Krahu i djathtë. Në betejën e “Vërsajës” së PD, Gazi ishte në “kështjellë” dhe dha ndihmesë në mposhtjen e pushtuesve foltoristë me në krye Sali Berishën.
Janë të freskëta akuzat dhe epitetet e Gazit për liderin historik të PD. Që nga ato me terma të rënda, gjer tek ato limonadë. Kur Gazi iu drejtua Sali Berishës si “babai i Zenit”, shënoi fundin e një rruge ku Gazi e Saliu mund të bashkoheshin ndonjëherë. Por nuk thonë kot, në politikë kurrë mos thuaj kurrë. Këtë postulat ka patur parasysh Gazi kur një ditë mori rrugën për në rrugën e Salës.
Sjellja politike e Gazit nuk është thjeshtë sjellja politike e një individi. Ky është fenomen i sjelljes politike në Shqipëri, sëmundje e vjetër sa vetë demokracia e brishtë shqiptare e pak më shumë se këtyre 3 dekadave.
Braktisja e ideve dhe prevalimi i interesit personal, sin ë këtë rast, ka bërë që politika të jetë gjithnjë e më e vrazhdtë, gjithnjë e më larg qytetarëve e gjithnjë e më pak e pabesueshme.
Është kjo arësyeja që qytetarët nuk kanë besim tek politika. Është kjo arësyeja pse është në këtë gjendje opozita. Dhe është kjo arësyeja që për më shumë se tridhjetë vjet me radhë qytetarët janë detyruar të zgjedhur për ti udhëhequr “të keqen më të vogël”.
Sa për Gazin, askush nuk ka patur dyshim. Prototip i një pragmatisti të shëmtuar politik. Që për një karrige deputeti, është gati të shkojë ditë për ditë e pasdite për pasdite jo vetëm poshtë ballkonit, por edhe të “flejë” me Berishën. Nëse Berisha do të ishte si ai.