13.5 C
Tirana
E premte, 10 Janar, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    SPAK mbyll hetimet për Olsi Ramën, thotë se nuk ka prova që e lidhin me laboratorin e kokainës në Xibrakë

    SPAK ka mbyllur hetimet për vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, duke thënë se nuk janë gjetur prova për përfshirjen e tij apo të personave të tjerë të paproceduar deri tani, në laboratorin e kokainës në fshatin Xibrakë.

    Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e Ols Ramës në veprimtari të paligjshme. Ai tha se Olsi Rama ishte “mbrojtur” nga hetuesit e mëparshëm të cilët e kishin identifikuar vetëm me iniciale.

    Edhe kreu i PD-së Sali Berisha i përsëriti vazhdimisht dhe në publik këto akuza, duke pretenduar se Olsi Rama kishte udhëtuar disa herë brenda dhe jashtë vendit me personat e arrestuar për laboratorin e kokainës në Xibrakë.

    “Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Ols Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë”, njofton SPAK lidhur me procedimin penal me nr 88, i vitit 2024

    Deklaratat e Bardhit, i cili vendosi të mos bëjë kallëzim në SPAK, por të dorëzojë indicie, nxitën një përplasje të fortë publike mes tij dhe kryeministrit Edi Rama, që e akuzoi deputetin e PD-së për shpifje dhe tha se qëllimisht nuk kishte bërë kallëzim, për të shmangur padinë për shpifje.

    NJOFTIMI I SPAK:

    Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, të regjistruar pas rifillimit të hetimeve të pezulluara të procedimit penal nr. 335/1 të vitit 2016. Ky procedim lidhej me veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të narkotikëve”, dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupet e strukturuara kriminale”, të parashikuara në nenet përkatëse të Kodit Penal.

    Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit, Ols Rama në veprimtari të paligjshme. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës.

    Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Ols Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë.

    Në përputhje me nenin 326 të Kodit të Procedurës Penale, më datë 23 dhjetor 2024, është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar. Dosja i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit