spot_img
spot_img

Nuk është vetëm Ols Dado pa magistraturë…

spot_img

Nga Ylli Manjani

Për shkak të rëndësisë së çështjes që ka në proces, emërimi i Ols Dados si prokuror, pa qenë i diplomuar në Shkollën e Magjistraturës, ka marrë vëmendje maksimale. Dhe është e kuptueshme që kualifikimi i një prokurori të ngrihet si çështje publike kur ai ka në duar një dosje me rëndësi të veçantë.

Por, nëse duam ta trajtojmë seriozisht këtë problem, duhet ta vendosim në kontekst.

Ols Dado nuk është i vetmi prokuror i SPAK-ut që ushtron këtë funksion pa një diplomë të Shkollës së Magjistraturës. Madje, nga një vështrim mbi përbërjen e institucionit, rezulton se një pjesë e konsiderueshme e trupës së prokurorëve nuk kanë ardhur në sistem përmes kësaj shkolle. Fjala vjen, nga tre drejtuesit e SPAK-ut në këto vite, vetëm Klodian Braho ka diplomën e Magjistraturës.

Pra, problemi nuk mund të jetë thjesht: “Ols Dado nuk ka mbaruar Magjistraturën.”

Nëse kjo do të ishte një pengesë absolute, atëherë pyetja do të duhej bërë për një pjesë të konsiderueshme të sistemit dhe jo vetëm për një emër.

Nga një llogari e thjeshtë, rreth 40% e trupës së prokurorëve të SPAK-ut rezulton të jetë pa diplomë të Magjistraturës. Nuk mendoj se kjo, në vetvete, është ndonjë hata e madhe.

Sepse, të jem i sinqertë, gjyqtar apo prokuror të mirë nuk të bën diploma e Magjistraturës. Të bën, në radhë të parë, njerëzillëku dhe qytetaria. Pastaj përvoja jetësore, integriteti, etika profesionale, aftësia për të kuptuar ligjin dhe mbi të gjitha aftësia për ta zbatuar atë me paanshmëri.

Këto janë kriteret që duhet të na interesojnë.

Diploma është një kriter formal. Por pas shumë vitesh ushtrimi të profesionit, ajo që duhet të peshojë më shumë është çfarë magistrati je bërë, jo thjesht se çfarë shkolle ke mbaruar.

Prandaj, edhe për Ols Dado pyetja e vërtetë nuk duhet të jetë: “Pse nuk ka diplomë Magjistrature?”

Pyetja duhet të jetë:

Si po e kryen detyrën? A po sillet me etikë? A po vepron me profesionalizëm? A po respekton ligjin? A është i paanshëm? A ka konflikt interesi?

Këto janë pyetje serioze.

Madje, në rastin konkret, ka një çështje shumë më të rëndësishme se diploma e munguar e Magjistraturës.

Janë ato që ndodhën në sallën e gjyqit, kur ai ndërpreu Erion Veliajn, me fjalë fyese që dukshëm treguan një ngarkesë.

Për mua, mënyra e sjelljes së një prokurori përballë një të pandehuri është shumë më e rëndësishme se fakti se në cilën shkollë ka marrë apo nuk ka marrë një diplomë.

Por akoma më e rëndësishme është çështja e konfliktit të interesit dhe pananësia apo pandikueshmëria e prokurorit.

Nëse është e vërtetë se Ols Dado ka qenë përfitues i një leje ndërtimi të dhënë nga Erion Veliaj, atëherë kjo është një rrethanë që meriton shumë më tepër vëmendje sesa diploma.

Këtu kemi një pyetje që nuk lidhet më me CV-në e prokurorit, por me besimin te paanshmëria e tij në një proces ku Veliaj është i pandehur.

Është shumë më problematike që një prokuror të ketë një marrëdhënie të tillë të mëparshme me personin ndaj të cilit ngre akuzë, sesa fakti nëse ka apo jo një diplomë të Magjistraturës.

Dhe, nëse ekziston një rrethanë që krijon dyshimin, qoftë dhe të  paarsyeshëm për konflikt interesi, atëherë çështja duhej të shqyrtohej me seriozitet. Aq më tepër kur një tjetër prokuror mund ta ndiqte çështjen, pavarësisht nëse edhe ai nuk kishte diplomë Magjistrature.

Pra, problemi nuk është diploma. Problemi është integriteti.

Këtu mendoj se duhet të përqendrohet edhe debati për drejtësinë. Ne kemi një tendencë të çuditshme për t’u kapur pas formaliteteve dhe për të humbur thelbin.

Një diplomë mund të tregojë se dikush ka përfunduar një shkollë. Nuk tregon automatikisht se ai është një magistrat i mirë. Nuk tregon nëse është i drejtë, nëse është i paanshëm, nëse ka etikë, nëse respekton kundërshtarin, nëse e përdor pushtetin që i jep ligji me përgjegjësi.

Këto tregohen në praktikë.

Prandaj, këtë logjikë do të prisja ta ndiqte edhe Gjykata Administrative kur shqyrtoi padinë e Veliajt kundër emërimit të Dados.

Jo të humbiste në çikërrima anësore, por të shihte thelbin e çështjes: a është emërimi i ligjshëm dhe, mbi të gjitha, a ekziston ndonjë rrethanë që prek besimin publik te paanshmëria e prokurorit në këtë proces?

Drejtësia nuk mund të gjykohet vetëm me dokumente formale. Ajo nuk mund të katandiset si zyrë personeli. Drejtësia duhet parë edhe në kontekstin e sjelljes së atyre që e ushtrojnë atë.

Në fund të fundit, njerëzit nuk mbajnë mend nëse magistrati ka pasur apo jo një diplomë të caktuar. Mbajnë mend nëse ka qenë i drejtë. Nëse ka qenë arrogant apo qytetar. Nëse ka respektuar ligjin apo e ka përdorur pushtetin e tij. Nëse ka qenë i paanshëm apo ka lënë dyshime për njëanshmëri.

Nuk është Magjistratura ajo që e bën magistratin. Është sjellja e magistratit ajo që e bën ose e prish Magjistraturën.

Kjo është ajo që duhet të diskutojnë institucionet në radhë të parë dhe, publiku

Lajmet e fundit