Gazetari dhe publicisti Arjan Konomi ka denoncuar se është përplasur me truprojat dhe forcat e policisë që shoqëronin kryeministrin Edi Rama.
Këtë të enjte në këtë fshat kishte ndalur për të pirë kafe kryeministri Edi Rama dhe Konomi tha se eskorta e tij kishte qëndruar në vendin ku ndalohet për qytetarët.
Sipas një rrëfimi që ai ka bërë në rrjetet sociale, Rama e ka thirrur për t’u sqaruar, por është përballur me një sjellje agresive nga bashkëshortja e tij Linda Rama.
Më pas Konomi thotë se është shoqëruar në komisariatin e policisë së Himarës ku është mbajtur disa orë.
“Sapo dola nga komisariati i Himarës pas një përballjeje me Edi Ramën. “Maskara …. merreni” – u tha Rama policëve.
Asnjë ofendim dhe asnjë kërcënim ndaj familjes së tij, thjesht pyeta policët pse nuk i gjobitnin makinat që ishin parkuar pas tabelës së ndalimit, kur ndëkohë pak orë më parë gjobitën tërë fshatin dhe turistët.
Natyrisht makina e kryeministrit dhe të eskortës së tij”, shkruan Konomi, teksa ka publikuar dhe një video denoncuese.
Kryeministri Edi Rama ndërkohë, ka nxjerrë ka një tjetër version, ndërsa ka publikuar videon e përplasjes.
Ai thotë se e vërteta është krejt ndryshe nga sa thotë Konomi.
Sipas Ramës, gazetari ka ofenduar gruan e tij, Linda Rama, bashkë me të birin.
“JA QË PËR FAT TË MIRË KA EDHE NJË VIDEO TJETËR, e cila tregon krejt të kundërtën e videos që një dhunues i lirisë së të tjerëve paska vrapuar të tregojë botërisht, duke bërë para pasqyrës së tij viktimën e dhunuar, duke shfrenuar fantazinë dhe duke sharë si i përdalë një grua e një nënë, të cilën e bullizoi bashkë me fëmijën e saj në mes të rrugës – ku ngjarja u zhvillua krejt ndryshe nga rrëfimi në pasqyrë dhe u përhap pastaj në kanalet sociale si një tjetër gënjeshtër e madhe e luftës liridashëse kundër regjimit imagjinar.
Fatmirësisht këtë herë ka një video demaskuese të gënjeshtrës, po imagjinojeni se sa herë të tjera gënjeshtra bën kërdinë mbi të vërtetën nëpër pasqyrat ku kujtojmë se informohemi”, shkruan Rama.



