4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Yuri Kim: Sot mund të jetë 1 prill, por kjo nuk është shaka!

    Jo më 3 vite por plot 10 vite do të jetë e vlefshme një vizë amerikane turistike apo biznese që shqiptarët do të marrin duke filluar nga sot. 1 prillit për të vizituar SHBA-të. Lajmi u dha pak ditë më parë nga ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim , teksa aplikantja e parë përfitoi sot.

    Në një postim në Facebook, Ambasada thotë se kush e merr sot një vizë do ta ketë të vlefshme deri në vitin 2032.

    “Sot mund të jetë 1 prill, por kjo nuk është shaka! 1 Prilli shënon ditën e parë të zgjatjes 10 vjeçare të vizave për shqiptarët të cilët marrin viza turistike dhe biznesi për në Shtetet e Bashkuara. Mëngjesin e sotëm, ambasadorja Yuri Kim përshëndeti aplikanten shqiptare të cilës iu dha viza e parë amerikane e vlefshme për 10 vjet.

    Ambasadorja Kim e uroi atë dhe bisedoi mbi planet e udhëtimit të saj për në Shtetet e Bashkuara këtë verë. Siç njoftuam këtë javë, vlefshmëria e vizave për aplikantët shqiptarë të kualifikuar për viza të reja turistike dhe biznesi do të zgjatet nga 3 vjet në 10 vjet, gjë që do të thotë se vizat turistike dhe të biznesit të dhëna pas ditës së sotme, do të jenë të vlefshme për udhëtime deri në vitin 2032. Ky është një lajm i jashtëzakonshëm ndërsa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, shkruan ambasada.

    Lajmi është përshëndetur edhe nga kryeministri Rama.

    “LAJM I BUKUR në 100-vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Rritet me 10 vjet e vlefshmëria e vizës amerikane të qytetarëve shqiptarë, si shprehje kuptimplotë e rritjes së shumëfishtë të bashkëpunimit pas firmosjes së Deklaratës së Partneritetit Strategjik gjatë mandatit tonë të parë qeverisës, si edhe rritjes së vazhdueshme të besimit e respektit ndërkombëtar tek Shqipëria, falë reformave shtetndërtuese e rezultateve domethënëse në një rrugë ndryshimi që vazhdon”, ka shkruar Rama.

    Një vizë 10-vjeçare nuk do të thotë që ju mund të qëndroni në SHBA për 10 vite. Gjatë udhëtimit në SHBA me vizë turistike apo biznesi nuk mund të qëndroni më shumë se gjashtë muaj në një vit, në të kundër anulohet viza. Qëndrimi përtej afatit të lejuar është shkelje e ligjit të imigracionit të SHBA-së dhe mund t’ju bëjë ju të papranueshëm për vizë në të ardhmen.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit