Themeluesi i Top Medias, Dritan Hoxha përkujtohet sot në 18 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta si pasojë e një aksidenti tragjik të ndodhur në Tiranë, më 23 Maj 2008. Familja, miqtë dhe televizioni që ai themeloi e kujtojnë me mirënjohje dhe respekt vizionarin që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e medias shqiptare.
Me pasionin, guximin dhe vizionin e tij inovator, ai themeloi Top Albania Radio, Top Gold, My Music, televizionin Top Channel, gazetën “Shqip”, si dhe DigitAlb, platformën e parë shqiptare për transmetime digjitale tokësore, satelitore dhe më pas edhe mobile sipas teknologjisë DVB-H.
Falë punës së tij të palodhur, DigitAlb ishte e para kompani që realizoi në Shqipëri transmetime në High Definition, ndërsa Top Channel, i pari televizion që prodhoi emisione dhe dokumentarë në High Definition.
“Ëndrra vazhdon” ishte mesazhi pas vdekjes së Tanit, siç e njihnin të gjithë, dhe sot Top Channel vazhdon të ndjekë ëndrrën e tij, ëndrrën e një njeriu që tregoi se gjithçka mund të ishte e mundur nëse do ta doje vërtet me gjithë zemër.
Në 15 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, në vitin 2023, Dritan Hoxha është dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Ai e ka cilësuar si një ëndërrimtar e vizionar të palëkundur, guximtar në krijimtari, inovator e pasionant.
Gjithashtu, Dritan Hoxha është vlerësuar me medalje edhe nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, si dhe është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës dhe Vlorës. Tri rrugë mbajnë emrin e tij, një në Tiranë, një në Prishtinë dhe tjetra në Tetovë, si simbole të kontributit që Dritan Hoxha dha për bashkimin kulturor dhe emancipimin e shqiptarëve në të gjitha trojet etnike.
Në orët e para të 23 Majit 2008, ai humbi kontrollin e makinës “Ferrari” që drejtonte dhe doli nga rruga në bulevardin buzë Lanës. Mjeti u përplas me një nga pemët dhe u nda në dy pjesë, duke bërë që Dritan Hoxha të ndërronte jetë. Ai mbylli sytë përgjithmonë në moshën 40 vjeçare.



