Mëngjesin e të enjtes së datës 25 qershor 2026 një mesazh i gazetarit Fatjon Baze na vuri në lëvizje:
“Bëhuni gati se do u sulmojnë turizmin në Përmet. Po u vjen radha juve, po u vërsulet algoritmi si cunam!”.
Ndërkohë në llixhat e Bënjës punonjësit e ndërtimit kishin rreth 2 javë që boshatisën nga uji vaskën e madhe të lëkurës, kishin devijuar ujin në anën perëndimore, kishin filluar pastrimin dhe po sharronin murin ballor duke e ulur disa centimetra më poshtë. Turistët dhe vizitorët megjithëse hynin në një kantier ndërtimi vazhdonin të laheshin në 4 vaskat e tjera funksionale.
Bënja dhe Përmeti ishin si gjithmonë të qetë e mikpritës derisa furia e rrjeteve sociale filloi revanshin. Mijëra profile fallco, qindra foto e video të bëra me inteligjencë artificiale u shpërndanë në kohë rekord dhe protesta, Zvërneci, familja Trump u harruan ndërsa flamingot e bulevardit filluan si korba të shqyenin qytetin më paqësor në botë, Përmetin tonë, zemrën e civilizimit shqiptar…
Gazeta lokale “Bashkësia Përmet” reagoi e para, në dy postimet e datës 25/6 u bënim thirrje autoriteteve lokale e qëndrore të merrnin masa e të ballafaqoheshin me turmat virtuale. Të dilnin me deklarata zyrtare e të raportonin nga “vendi i krimit” e të tregonin me fakte e prova se punimet në banjat e Bënjës janë brenda afateve dhe deri në shtator po punohet, po testohet e po investohet.
Jo vetëm kaq por kontaktuam direkt me të gjithë faktorët publikë e privatë që ti bënin ballë pa iu trembur kësaj furie idiote që kujtuan se me sharje e kërcënime në rrjetet sociale do poshtëronin një zonë e një turizëm të tërë.
Ndërkohë që Sali Berisha e të tjerë pleq të politikës e të bulevardit vazhdonin porsi algoritmet e huaja të poshtëronin Përmetin, Edi Rama brenda 2 ditëve postoi 8 herë video e foto nga Përmeti. Lufta politike dhe cinizmi i fqinjve kishin gjetur vendin e gabuar për të nxirrë Përmetin. Dhe gabuan!
Gabuan se Përmeti dy ditët e sharjeve të mëdha i ktheu në festë, dy ditët e sulmeve të pabaza e të pabesa i zbythi me këngë, plazh, muzikë, gatime, alkool. Përmeti fisnik nuk ka drikë se ka me bollëk historinë, ka mikpritjen, ka kulinarinë, ka ujëra termale, ka Vjosën e egër, ka pyje të paprekur, male krenarë, florë dhe fauna unike.
Ka njerëz që falin, tolerojnë, durojnë por pastaj ia tregojmë vendin çdo sharësi qoftë nga bulevardi, qoftë nga Vetvendosja, qoftë nga Greqi, Irani, Serbia, Turqia. Përmeti vazhdon të qëndrojë aty në tokën e tij të sertë e të bukur, vazhdon të mirëpresë miq e turistë, vazhdon ti shohë me qesëndi sharësit virtualë të cilët edhe pak ditë e do fillojnë të bëhen pishman…
Do kalojë koha, do rrjedhin shumë ujëra e shumë ngjarje e do të ndodhë njësoj si me birin e Përmetit Naim Frashëri. Pas 100 vjetësh mbahen mend sharësit apo mbahen mend poezitë e tij, vepra e tij?
Përmeti ju mirëpret, ju sharësit eja lani mëkatet tuaja në banjat e Bënjës!
(Bashkësia Përmet)



