spot_img
spot_img

60 mijë spektatorë në ‘Eagle Stadium’ për Kanye West në Tiranë – Dalin detajet e mega koncertit

Kanye West do të performojë në Tiranë më 11 korrik 2026, në një koncert të vetëm që pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri.

Lajmi është konfirmuar nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në Facebook, ku bëri të ditur se artisti global, i njohur tashmë si Ye, do të sjellë në Shqipëri një performancë “one-night-only”, të konceptuar si një super-spektakël me standarde ndërkombëtare.

Sipas njoftimit, ngjarja do të zhvillohet në një hapësirë të kushtuar posaçërisht për këtë performancë, në një stadium të përkohshëm të quajtur “Eagle Stadium”, i ndërtuar përgjatë aksit Tiranë-Durrës, me një kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh.

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e cilëson këtë koncert si një moment historik për skenën artistike dhe kulturore shqiptare, duke theksuar se ardhja e Kanye West në Tiranë përfaqëson një mundësi të rëndësishme për promovimin ndërkombëtar të vendit përmes industrisë së ngjarjeve dhe turizmit kulturor.

Artisti amerikan cilësohet një nga figurat më me ndikim në industrinë globale të muzikës, me një karrierë që shtrihet prej më shumë se dy dekadash dhe me albume ikonike si The College Dropout, Graduation, 808s & Heartbreak dhe Donda.

Sipas ministrit Gonxhja, organizimi i koncertit do të realizohet nga kompania ndërkombëtare Streetlife, në bashkëpunim me Redcloud, të cilat do të mbështesin realizimin teknik dhe logjistik të eventit në terren.

Autoritetet shqiptare presin që ky event të sjellë një fluks të madh vizitorësh, të ndikojë pozitivisht në ekonominë lokale dhe të forcojë pozicionimin e Shqipërisë si një destinacion i ri për evente të mëdha ndërkombëtare kulturore dhe muzikore.

spot_imgspot_img

Lajmet e fundit