Teksa në qytetin e Durrësit qytetarët me zemër të thyer prej dy ditësh vajtojnë për humbjen tragjike të dy fëmijëve, Klesit dhe Eneas, 8-vjeçari që i shpëtoi aksidentit, në padijeni për humbjen e tyre, kërkon të takohet me shokët e tij.
Me gjysmë zëri e lot në sy, babai i 8-vjeçarit Ardian Melsani tha se i biri në padijeni për humbjen tragjike të dy shokëve të tij kërkon që të takohet me ta.
“Vetëm diçka më ka thënë, kërkon shokët e vet dhe thotë erdhi makina me shpejtësi, na mori përpara!” tha babai i 8-vjeçarit në një lidhje telefonike për “Opinion”.
Me dhimbje të madhe në zemër, babai i vogëlushit tregon se i biri së shpejti pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje te spitali i Traumës. Ashtu si pjesa më e madhe e banorëve të zonës së ish-kënetës, babai të miturit deklaroi se e ka denoncuar disa herë shoferin Nikoll Radaçin që shkaktoi aksidentin tragjik.
Nga an tjetër, dhjetëra banorë u mblodhën mbrëmjen e sotme para Bashkisë së Durrësit ku dhe ndezën qirinj në kujtim të dy të miturve, Klesi Nikollit dhe Enea Muçajt, që u ndanë tragjikisht nga jeta pas aksidentit fatal të ndodhur pasditen e 3 majit.
Të pranishmit më të shumtë kanë qenë banorët e zonës së Ish-Kënetës, ku banonin dy të miturit që vdiqën duke luajtur me top pasi makina e drejtuar nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi i mori përpara dhe i përplasi për vdekje në fillimet e jetës së tyre.
Para bashkisë së qytetiti, qytetarët ndezën qirinj dhe mbajtën një minutë heshtje në shenjë respekti për dy vogëlushët.
Meslani: Djali tani është jashtë rrezikut për jetën, jemi në mes të një ndërhyrjeje.
-Do bëhet në Shqipëri?
Meslani: Do bëhet këtu te Trauma.
-Çdo gjë është në rregull në spital, vëmendja, kujdesi?
Meslani: Vëmendja është në rregull, po unë kam edhe dy fëmijë të tjerë te shtëpia, kanë nevojë për psikolog.
-Nuk ju kanë çuar psikologë fare për të qetësuar familjen?
Meslani: Jo fare absolutisht!
-Si është gjendja në familje?
Meslani: Super e rënduar.
-A të tha djali në çfarë rrethanash ka ndodhur ngjarja?
Meslani: Vetëm dicka më ka thënë, kërkon shokët e vet dhe thotë erdhi makina me shpejtësi, na mori përpara!
-Ju nuk i keni thënë gjë?
Meslani: Jo, jo! Edhe këtu kemi një psikologe private.



