Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se koncerti i Kanye West në Tiranë ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, duke theksuar se numri i biletave të blera nga shtetas të huaj ka tejkaluar atë të finales së UEFA Europa Conference League Final, e zhvilluar në kryeqytetin shqiptar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi pamje nga “Eagle Stadium”, arena e ngritur posaçërisht për koncertin e 11 korrikut, duke njoftuar se përgatitjet kanë hyrë në fazën e fundit.
“Janë blerë nga të huajt më shumë bileta sesa për finalen e Conference League në Tiranë, e i cili do ta kthejë Tiranën të shtunën, me 11 korrik, në kryeqytetin botëror të spektaklit muzikor, ju uroj një ditë të mbarë “, shkroi Rama.
“Eagle Stadium”, i ndërtuar pranë autostradës Tiranë–Durrës, pritet të mirëpresë rreth 60 mijë spektatorë, duke e bërë këtë koncert një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri.
Çmimet e biletave nisin nga 120 euro, ndërsa paketat VIP arrijnë deri në 339 euro.
Koncerti në Tiranë është pjesë e turneut botëror të Kanye West për vitin 2026, i cili në disa vende është shoqëruar edhe me polemika.
Një muaj më parë, artisti performoi në Atatürk Olympic Stadium në Stamboll, ku sipas organizatorëve koncerti u ndoq nga rreth 118 mijë spektatorë.
Eventi në Tiranë organizohet nga kompania Streetlife me seli në Berlin, e cila ka sjellë më parë koncerte të artistëve si 50 Cent, Drake, Snoop Dogg, Kendrick Lamar dhe Nicki Minaj.
Në Shqipëri, organizimi mbështetet nga Redcloud dhe Live Label.



