25.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Prill, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    A është Neritan Nallbati ‘Tano Karidi’ i call- center’eve në Shqipëri? Nga mësues muzike në kutinë e zezë të krimit

    Me sinjalizime të brendshme, por sidomos me nxitjen e partnerëve ndërkombëtarë, Policia e Shtetit ka nisur të godasë rrjetet kriminale të call- center’ave në Tiranë, rrjete të cilat u zhvasin dhjetëra miliona euro në muaj qytetarëve evropianë përmes mashtrimit. Nuk ka dyshim se celulat deri tek organizatat e call- center’ave me qindra operatorë kanë vepruar gjithnjë nën mbrojtje dhe garanci të segmenteve të caktuara brenda policisë, kundrejt një tarife mujore që varion nga 5 mijë euro deri në 50 mijë euro sipas numrit të operatorëve.

    Pothuajse të gjithë bosët e padukshëm apo pjesërisht të ekspozuar të call- center’ave, operatorë të shkathët dhe njerëz të agjensive ligjzbatuese, herë nën zë dhe herë me zë të lartë, lakojnë një emër si nyjen lidhëse, si mburojën dhe si ‘Tano Karidin’ e call- center’ave në Policinë e Shtetit. Bëhet fjalë për Neritan Nallbatin, njeriu që i ka mbijtuar të gjitha lëvizjeve, largimeve dhe ndryshimeve në Polici.

    Neritan Nallbati përfitet si mburoja e perandorisë së mashtrimit me call- center në Tiranë, si dora që fshihet pas goditjeve selektive, intrigave, dekonspirimeve dhe lojës së dyfishtë. Nga i diplomuar mësues muzike në Elbasan, Nallbati bëri një kurs ‘plepash’ në Ministrinë e Brendshme, duke u katapultuar në Policinë e Shtetit.

    Pa arsim përkatës dhe pa asnjë lidhje me policinë, por me lidhjet e duhura, Nallbati ka një karrierë sa të errët aq edhe të pabesueshme në Policinë e Shtetit, duke tejkaluar edhe simbolet e tradhtisë brenda policisë gjatë qeverisjes së Sali Berishës. Prej më shumë se tre vitesh, që përkon me ‘lulëzimin’ e call- center’ave, Neritan Nallbati mban detyrën e Drejtorit të Departamentit për Policinë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

    Më herët Neritan Nallbati ka ushtruar këto funksione në Policinë e Shtetit;

    -Drejtor i Policisë në Durrës

    -Drejtor i Departamentit për Sigurinë

    -Drejtor i Policisë Berat

    -Drejtor i Standardeve Profesionale

    -Këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

    -Drejtor i Policisë Fier

    -Drejtor Policisë Elbasan

    -Drejtor i Policisë Vlorë

    -Specialist në Policinë e Elbasanit

    -Shef zyre në Policinë e Elbasanit

    -Specialist, në Drejtorisë e Policisë Kriminale në Ministrinë e Rendit Publik

    -Zëvendësdrejtor në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë

    -Shef Komisariati, në Drejtorinë e -Policisë Qarkut Tiranë

    -Shef i Policisë Kriminale Tiranë

    -Specialist i Policisë Kriminale Tiranë

    I akuzuar si protektor i rrugëve të kokainës në Fier, Elbasan, Durrës dhe Tiranë, si dora e grupeve kriminale në Policinë e Shtetit, Nallbati u përjashtua nga policia në vitin 2003 për lidhje me krimin e organizuar, por u rikthye shumë shpejt duke vijuar katapultimin në pozicione kyçe. Ka pretendime se grupet kriminale paguan 7 milionë euro për rikthimin e tij në polici, në pozicione drejtuese.

    Pasuria e deklaruar e Neritan Nallbati rezulton qindra mijëra euro, ndërsa pasuria e kamufluar dyshohet se ka një vlerë dhjetëra milionë euro. Për të justifikuar shumfishimin e pasurisë së deklaruar, Nallbati ka dhënë dhjetëra mijëra euro me fajde, vepër penale të cilën e ka deklaruar vetë në ILDKPKI.

    Me gjithë sagën e ngarkesave kriminale, pasurinë e fshehur, paratë me fajde dhe mungesën e arsimit, Neritan Nallbati e kaloi lehtësisht Vetingun në polici. Vendimi prej 70 faqesh për konfirmimin e Nallbatit në detyrë është sa qesharak aq edhe korruptiv, është sa fals aq edhe kriminal. Vendimi duhet të administrohet nga SPAK si një tjetër provë inkriminuese.

    Kujtojmë se Neritan Nallbati është nën hetim nga SPAK, mbështetur në prova që kanë dalë nga dosja SKY-ECC, ku vërtetohen lidhjet me eksponentë e grupe kriminale, madje në muajin gusht 2024, SPAK firmosi urdhër arrestin për të, por urdhëri u anulua. Sipas tabulateve të telefonit e dosjes SKY-ECC, Drejtori i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, ka dalë në shumë kontakte me krerë të krimit të organizuar, mes tyre me Ben Qimen e Fierit, Trifonin e “Bana-King”, Talo Çelën, Sokol Sanxhaktarin, bandat Çopja e Çapja në Elbasan etj.

    Raportet e agjencive të sigurisë, thonë se nga tetori 2013 e deri në muajin prill 2015, kur Neritan Nallbati ishte Drejtor në Elbasan, kanë dalë “huq” 28 operacione të policisë, anti-trafikut, forcave “RENEA” e “Shqiponja”, duke mos arrestuar dot krerë dhe anëtarë bandash në këtë qytet. Ka prova të shumta, që vërtetojnë se Neritan Nallbati, ka bashkëpunuar me grupet kriminale kur ishte drejtor policie në Fier, Berat e Durrës, sidomos në Durrës, ku lejoi trafiqet e kontrabandën në Portin Detar.

    Gjithashtu Neritan Nallbati dyshohet se ka rënë në rrjetën e DEA-s amerikane duke u kapur në përgjime sëbashku me grupin e trafikantëve të kokainës në Frakull të Fierit. Burime konfidenciale bëjnë me dije se Nallbati është kapur duke shkëmbyer telefonata dhe mesazhe me drejtuesit e grupit të “Frakullës”./Pamfleti

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit