Adi Krasta është bërë pjesë e personaliteteve publikë që janë shprehur publikisht pas vendimit të djeshëm të gjykatës speciale në Hagë që dënoi me burg katër liderët e UÇK-së.
Krasta shkruan se ka ardhur koha që qeveritë shqiptare të përmenden menjëherë pas këtij vendimi. “Shqipëria e vogël, apo e madhe, ka nevojë për Shqiptarë të mëdhenj. Lufta politike duhet të ketë një synim final, për të mirën e vendit”, shkruan Adi Krasta.
Postimi i plotë:
Lufta e shqiptarëve për liri e pavarësi është e shenjtë dhe e paluajtshme. Por tash na duhet të bëhemi më të mirë me veten. Të na bëhet e kuptueshme se si shqiptare kemi qenë vetëm dhe me gjasë vetëm do na duhet të qëndrojmë në vazhdimësi.
Te qenit të bashkuar po bëhet e domosdoshme, nëpërmjet sakrificave nga të cilat nuk paskemi mësuar.
Qeveritë shqiptare të përmenden menjëherë nga dehja e narcizmit. Të punojnë me profesionalizëm dhe ndershmëri për ta dashur Shqiptarinë. Shqipëria e vogël apo e madhe ka nevojë për shqiptarë të mëdhenj.
Militantët partiake kanë përpara një alternative: të humbasin së bashku ose të mençurohen për të kuptuar njëherë e përgjithmonë se luftërat e politika duhet të kenë një synim final, të mirën e vendit.
Bashkimi federativ i trojeve shqiptare të lajmërohet sa nuk është vonë, për çdo pjesë të trojeve që i është drejtuar vetëshkatërrimit.
Popullata shqiptare ose të kuptojë e të jetojë për demokratizimin e brendshëm ose të tkurret përfundimisht.
Kjo që po ndodh është vetëm goditja e parashikuar e radhës që sërish na gjeti të papërgatitur.



