Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka reaguar në lidhje me videot e regjistruara gjatë protestave të qytetarëve, ku kreu i Partisë “Mundësia” shfaqet krah njerëzve duke u kërkuar rrëzimin politik të Edi Ramës.
Koçiu i ka bërë thirrje Agron Shehajt që të mbajë një qëndrim të caktuar ku i bashkohet protestës qytetare dhe të mos e shfrytëzojë momentin për interesa politikë.
“Nuk ka një dorë që e ka kapur protestën. Janë 100 duar që po e përdorin këtë protestë, e ndër duart me të zellshëm janë të tuat Agron. Këtë protestë e ke përdorur, e ke shtrydhur, e ke xhiruar për interesin tënd sa dhe në kohë fushate kur të duheshin votat për mandatin që ke sot Agron, nuk e ke përdorur politikën kaq shumë sa po përdor këtë protestë sot.
Ndaje mendjen ose sillu si qytetar në protestë dhe lëre protagonistin sepse zgjedhjet janë në 2029, ke kohë për fushatë. Ose sillu si kryetar i partisë, merr mbështetësit e tu, dil në protestë. Por mos na shit njërën për tjetrën” shprehet zv.kryeministrja Koçiu në reagimin e saj.
Sakaq, kujtojmë se Agron Shehaj është një ndër politikanët më të pikasur të opozitës që është shfaqur krah qytetarëve në shesh, të cilëve u kërkon që të vijojnë protestat e tyre që të rrëzojnë qeverinë Rama.
Ndërkohë, sot pritet të mbahet protesta e 38-të e qytetarëve të cilët si zakonisht do të zbarkojnë poshtë Kryeministrisë për të mbajtur fjalimet, e pastaj për të vijuar me marshimin nëpër kryeqytet.
Postimi i Albana Koçiut:



