Pas përfundimit të rrugëtimit të tij në Big Brother VIP 5, Miri ka dhënë një intervistë ekskluzive për revistën Bordo, ku ka folur për eksperiencën në shtëpinë më të famshme, momentet më të bukura dhe më të vështira, si edhe për mbështetjen që ka marrë nga familja.
I komentuar shpesh për faktin se hyri dhe doli nga formati me identitetin e artistit të West Side Family, Miri shprehet se eksperienca shërbeu për të njohur publikun me anën e tij më njerëzore.
“Kam hyrë si Miri i West Side Family, por brenda kam qenë më shumë Miri. Besoj se dola Miri i vërtetë i West Side Family,”– u shpreh ai.
Artisti veçon si momentet më emocionuese surprizën nga vajza e tij dhe takimin me familjen në natën finale, ndërsa pranon se sfidat gjatë lojës kanë qenë të shumta.
Një rol të rëndësishëm në këtë rrugëtim, sipas tij, ka luajtur bashkëshortja, të cilën e cilëson mbështetjen më të madhe. Miri zbulon se ajo jo vetëm e ka përkrahur, por edhe ka analizuar me shumë kujdes lojën e tij, madje duke u bërë pjesë aktive e debatit publik jashtë shtëpisë.
“Ka qenë fansja numër një, por dhe ka qenë mbështetja ime më e madhe dhe para se të hyja, sepse kam diskutuar me të se si mund të shkojë jetesa ime në Big. E ka analizuar shumë mirë. Në fakt kur dola jashtë e kuptova se ç’kishte bërë dhe ajo jashtë sepse kam përshtypjen që ky Big Brother ka pas tre situata të forta. Domethënë Bigu brenda banorëve Bigu që ishte tek opinionistët edhe Bigu nëpër shtëpia me familjarë. Edhe unë të paktën kam parë jashtë që bashkëshortja ime ka luajtur një rol shumë të fortë dhe ka bërë një Big shumë të fortë edhe jashtë dhe e ka analizuar shumë mirë lojën time që kam bërë brenda. Kështu që më ka komplimentuar për atë që kam bërë dhe unë faktikisht them që ajo e ka kuptuar më sakt nga të gjithë kush e ka parë nga jashtë.”
I pyetur për komentet se opinionistja Monika Kryemadhi ka mbajtur anën e tij gjatë gjithë spektaklit, Miri mohon se kjo lidhej me miqësinë mes tyre.
Sipas tij, Monika e ka mbrojtur vetëm në momentet kur e ka konsideruar të drejtë, ndërsa nuk ka hezituar ta kritikojë kur e ka parë të nevojshme.
“E kam kuptuar mirë kur isha në Big, por edhe e kam parë tani që kam dalë që është diskutuar shumë që ajo më ka mbrojtur mua se më kishte mik apo kemi shoqëri me njëri-tjetrin. Kam përshtypjen që nuk është kështu. Domethënë unë e mendoj ndryshe. Unë e mendoj që ajo ka mbrojtur atëhere kur duhej të më mbronte, sepse kam pasur gjykime të forta, nuk e di, kam qenë më i gjykuari në këtë me këtë Big dhe ajo më ka mbrojtur atëhere kur duhet dhe më ka kritikuar dhe në disa raste që ajo e shikonte të arsyeshme. Kështu që nuk besoj që meqë më kishte mik më ka bërë mbrojtje. Besoj se ka shkuar me të vërtetën ashtu siç e ka menduar ajo, se e kam thënë shpesh edhe kur isha në Big, ajo është zëri i popullit, pavarësisht se është politikane edhe di se si të manovroj me fjalën, por unë e kam parë edhe në jetën politike. Ajo gjithmonë ka folur si njeri, si zë i popullit dhe mbrojtjen që më ka bërë mua e ka bërë duke e menduar se si e gjykon publiku lojën time apo mënyrën se si jam sjellur në Big.”
Miri pranon gjithashtu se ka qenë një nga banorët më të gjykuar të këtij edicioni, duke theksuar se e kanë lënduar veçanërisht akuzat dhe perceptimet që, sipas tij, nuk përputheshin me realitetin referuar këtu situatës me Selin dhe marrëdhënies me ulje – ngritje që ata kishin.
“Po më ka prekur për shembull gjykimi që më është bërë për veprime që perceptoheshin sikur ishin ashtu siç janë thënë se nuk dua t’i përmend. Edhe kur nuk është kështu dhe ti komentohesh vetëm në bazë të një perceptimi apo komentesh që mendoj që janë të ushqyera nga një ku di unë po them në thonjëza urrejtje e madhe karshi personazhit tim kjo të lëndon sepse nuk është e vërteta ashtu dhe domethënë të gjykohesh dhe të sulmohesh për veprimet që ti nuk i ke bërë.”
Në fund, ai thotë se fitimi më i madh nga Big Brother VIP nuk ishte thjesht fama, por respekti i një pjese të madhe të publikut.
“Kam fituar respektin e njerëzve që duan të shohin në televizion qytetari, kulturë, qetësi dhe dashuri mes njerëzve. Kjo është fitorja ime më e madhe,” përfundoi ai.
Intervista e plotë këtu



