Ish-deputetja Monika Kryemadhi është përfshirë në një debat me prokurorin e SPAK, Sotir Kllapi, gjatë seancës së zhvilluar në GJKKO, ku kërkoi pavlefshmërinë e provave të administruara nga organi i akuzës.
Ajo kundërshtoi ekspertimin e një telefoni celular të sekuestruar në banesën e saj, duke pretenduar se në kohën e sekuestrimit ishte deputete dhe kontrolli nuk mund të kryhej pa autorizimin e Kuvendit.
Kryemadhi kërkoi që SPAK t’i vinte në dispozicion të gjitha procesverbalet që lidhen me ekspertimin e telefonit, ndërsa pretendoi se nuk ka pasur mundësi të njihet me të gjitha provat e administruara.
Nga ana tjetër, prokurori Sotir Kllapi u shpreh se dokumentacioni ndodhet në fashikujt e dosjes dhe se hetuesit nuk kishin dijeni që telefoni i përkiste Kryemadhit, pasi ishte gjetur në banesën e regjistruar në emër të nënës së saj.
“Do doja që SPAK të na vinte në dijeni për procesverbalin dhe çfarë vëzhgimi është bërë në telefonin e sekuestruar. E kemi kërkuar në të gjitha seancat. Mua më është mohuar e drejta për të qenë e barabartë në gjykim nga organi hetues. Kam firmosur vetëm procesverbalin e marrjes së pesë disqeve. Në to nuk ekziston, madje në diskun 3 janë disa file që nuk hapen. Ky telefon mbi të cilin është ngritur akuza, mbi çfarë ekspertimi është kryer? Kur është ekspertuar, nga kush, çfarë është përftuar dhe mbi çfarë vendimi?”, u shpreh Kryemadhi.
Prokurori Sotir Kllapi tha se të gjitha aktet e ekspertimit ndodhen në dosjen gjyqësore dhe se telefoni është trajtuar sipas procedurës. “Të gjitha aktet e ekspertimit për të gjithë telefonat, jo vetëm ai telefon që i referohet e pandehura, janë në fashikullin 62, ndërsa në fashikullin 63 janë dy procesverbale të këqyrjes me të gjitha të dhënat. Ne nuk e dinim që ky telefon ka qenë i znj. Kryemadhi, sepse telefoni është gjetur në banesën e Fatime Kryemadhit. Do të mbajmë një qëndrim më të plotë në seancat në vijim. Si provë ai ka numrin 348”, deklaroi Kllapi.
Në vijim të debatit, mbrojtja e Kryemadhit pretendoi se nuk është njoftuar për aktet procedurale që lidhen me ekspertimin e telefonit dhe kërkoi që të gjitha provat t’i vihen në dispozicion për të ushtruar të drejtën e mbrojtjes.
Sipas avokatëve, pa njohjen me këto dokumente nuk mund të mbajnë një qëndrim të plotë mbi vlefshmërinë e tyre.
Në fund, Kryemadhi e cilësoi akuzën ndaj saj si “seksiste”, duke pretenduar se SPAK e paraqet si të varur nga ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta. Ajo tha se ka vepruar gjithmonë në mënyrë të pavarur dhe kërkoi që organi i akuzës të verifikojë edhe komunikimet e saj me zyrtarë të tjerë.
“Marrim një provë dhe del provë tjetër. E para, akuza është shumë seksiste sipas meje. Pretendon se Monika Kryemadhi në çdo aspekt bënte çfarë kërkonte bashkëshorti, ndërkohë unë kam bërë çfarë më ka dashur qejfi. Me Edi Ramën kam komunikime pa fund, madje edhe bisedat me Pirro Xhixhon i kam njëherësh me Edi Ramën. Organi i akuzës nuk ka denjuar ta marrë në pyetje Edi Ramën, ta pyeste nëse Kryemadhi apo Meta i kanë kërkuar diçka për Adrian Shatkun. Pse qenka Ilir Meta bashkëpunim me Kryemadhin, kur s’qenka Edi Rama, Aleksandër Meksi apo Sali Berisha? Bashkëpunimi me Ilir Metën nuk është provë shkresore, bashkëpunimi me Ilir Metën kanë qenë vetëm tre kalamajtë. Mesazhet me Edi Ramën kanë qenë për AKEP-in, për Lezhën, Hipotekën dhe Vlorën. Pse nuk i merr SPAK këto? Prandaj them se është akuzë seksiste, që do të thotë se kam qenë e varur nga Ilir Meta, por jo, kam qenë e pavarur”, deklaroi Kryemadhi.



