Situata brenda Partisë Demokratike është shoqëruar me tensione në ditën e fundit të dorëzimit të kandidaturave për garën për kryetar, ku përballë është Sali Berisha.
Edhe pse ora 12:00 e datës 30 prill është afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve, disa nga personat që kishin shprehur interes për të hyrë në garë pretendojnë se nuk iu dha mundësia të regjistroheshin.
Përfaqësues të kandidatëve u paraqitën në selinë e PD-së, por sipas tyre, njëri nuk u lejua të hynte brenda, një tjetër e gjeti derën të mbyllur, ndërsa dokumentet e Alesia Balliut nuk u morën në dorëzim nga askush.
Për këtë situatë ka reaguar vetë Alesia Balliu përmes një postimi në rrjetet sociale ku dhe ka “shpërthyer” ndaj Sali Berishës duke e quajtur “frikacak” dhe akuzuar se është duke iu shmangur garës.
Balliu shprehet se ka dorëzuar kërkesën për të kandiduar për kreun e PD-së, por askush nuk ka pranuar ta marrë në shqyrtim.
“Berishë Frikacaku! Berishë burrat në veri nuk i shmangen garës dhe nuk i druhen përballjes përkundrazi, e kërkojnë atë.
Por sot, ajo që po ndodh brenda Partisë Demokratike është zhgënjyese. Kam dorëzuar një kërkesë zyrtare për të hyrë në garën për kreun e PD-së, dhe askush nuk po e merr përsipër ta pranojë.
Ky nuk është thjesht një refuzim është një tregues i qartë i mungesës së transparencës dhe garës së ndershme. Berishë gjithmonë ka një moshë të koritesh por ti zgjodhe moshën më të keqe. PD do ju kthehet demokratëve mos e harro kurrë, nuk do e gëzosh atë parti Sali Berisha”, shkruan Balliu.



