Aktori i njohur spanjoll Antonio Banderas ka bërë një rrëfim prekës për infarktin që pësoi në vitin 2017, duke e quajtur atë “gjënë më të mirë që më ka ndodhur ndonjëherë”, pasi i ndryshoi plotësisht mënyrën se si e sheh jetën.
Sot 65 vjeç, Banderas kujton se në janar të vitit 2017, ndërsa ndodhej në shtëpinë e tij në Surrey të Anglisë, filloi të ndiente dhimbje në gjoks. Ai e kuptoi menjëherë se po pësonte një infarkt.
Aktori ka treguar se e dashura e tij, Nicole Kimpel, i vendosi menjëherë një aspirinë nën gjuhë, veprim që, sipas tij, i shpëtoi jetën. Pak minuta më vonë mbërriti ambulanca dhe ai u dërgua me urgjencë në spital.
Në spital iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente, gjatë së cilës mjekët i vendosën tre stenta në arteriet e zemrës. Fatmirësisht, infarkti nuk i shkaktoi dëmtime të përhershme në zemër.
Por ngjarja u bë një pikë kthese në jetën e tij. Banderas hoqi dorë nga duhani, u rikthye të jetojë në Spanjë pranë familjes dhe ndryshoi rrënjësisht stilin e jetesës.
“Kur e ke vdekjen kaq afër, e kupton sa kohë ke humbur me gjëra që nuk ia vlejnë. Infarkti ishte gjëja më e mirë që më ka ndodhur. Ishte sikur dikush më vendosi syze dhe më bëri ta shihja realitetin që nuk e shihja më parë”, tha ai në një intervistë për revistën PEOPLE.
Pas rikuperimit të plotë, Banderas është rikthyer në ekran dhe do të luajë në filmin biografik “Tony”, kushtuar shefit të famshëm të kuzhinës Anthony Bourdain. Aktori tha se nuk e kishte njohur personalisht Bourdainin, por e admiroi për mënyrën se si ai e trajtonte jetën përmes udhëtimeve dhe kulturës.
Në të njëjtën intervistë, Banderas foli edhe për babanë e tij të ndjerë, të cilin e përshkroi si mentorin dhe frymëzimin më të madh, ndërsa shtoi se krenaria më e madhe për të mbetet fakti që fëmijët e tij po rriten si njerëz të mirë.



