Një fotografi pranë kufirit mes Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut ka mjaftuar që Arbana Osmani të ndezë kureshtjen për rikthimin e saj të ardhshëm në ekran.
Pas përfundimit të angazhimit si moderatore e edicionit të tretë të “Ferma VIP”, Arbana duket se nuk ka humbur kohë dhe ka nisur të mendojë për projektin e radhës. Sinjali i parë ka ardhur nga Koreja e Jugut, ku ajo po qëndron së bashku me bashkëshortin dhe bashkëpunëtorin e saj, regjisorin Eduart Grishaj.
Gjatë udhëtimit, çifti vizitoi Zonën e Çmilitarizuar, e njohur si DMZ, e cila ndan Korenë e Jugut nga Koreja e Veriut dhe konsiderohet një prej kufijve më të militarizuar në botë.
Përmes postimeve në InstaStory, moderatorja tregoi se vizita zgjati rreth shtatë orë dhe se përdorimi i telefonave ishte i ndaluar në pjesën më të madhe të itinerarit. Ajo ndau gjithashtu histori për familjet koreane që mbetën të ndara pas luftës, si dhe për programin televiziv të vitit 1983, i cili ndihmoi në ribashkimin e shumë personave me të afërmit e humbur.

Arbana e lidhi këtë eksperiencë edhe me të kaluarën e shqiptarëve, duke theksuar ngjashmëritë që lidhen me izolimin dhe regjimin komunist.
“Një eksperiencë unike, sidomos për ne shqiptarët që kemi përjetuar izolimin, arratisjet dhe komunizmin. Absolute must nëse e vizitoni Korenë”, shkroi ajo.

Por ishte një tjetër postim ai që tërhoqi vëmendjen më të madhe. Arbana publikoi një fotografi me Eduart Grishajn pranë kufirit, duke zbuluar se udhëtimi u kishte dhënë një ide për punën e ardhshme.
“Ia dolëm të bëjmë një selfie te kufiri dhe morëm frymëzimin për projektin e radhës”, shkroi moderatorja.

Deklarata ka ngritur pikëpyetje mbi natyrën e projektit që dyshja mund të jetë duke përgatitur. Duke marrë parasysh vendin ku lindi ideja, nuk përjashtohet mundësia që Arbana dhe Eduarti të sjellin një format me elemente sociale, historike apo psikologjike, ndryshe nga produksionet e tyre të mëparshme.
Për momentin, moderatorja ka zgjedhur të mos zbulojë më shumë, duke e lënë publikun të hamendësojë nëse bëhet fjalë për një reality show, një dokumentar apo një tjetër projekt televiziv.



