16.5 C
Tirana
E hënë, 2 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Arrestim VIP në shtëpinë e yjeve

    Nga Lutfi Dervishi

    Arrestimet janë gjithmonë të bujshme, por kur këto ndodhin brenda Big Brother, ngjarja bëhet një film i pa harrueshëm.

    Liam Osmani, në mënyrën më befasuese të mundshme, sfidoi të gjitha parashikimet duke u bërë protagonisti kryesor i një operacioni policor në zemër të një ndërtese, që deri më sot ishte e famshme veç për zënkat e yjeve për një copë djathë të mbetur në frigorifer apo për debatin e nxehtë nëse toka është e sheshte apo e rrumbullaket.

    Në vend të strategjive të stërholluara për të fituar simpatinë e publikut, ai zgjodhi një rrugë më të drejtpërdrejtë dhe emocionuese: Të bëhet objektivi i një ndjekjeje policore.

    Në një akt që mund të konsiderohet si strategjia më revolucionare në historinë e Big Brother, Osmani ndryshoi dinamikën e lojës. Në vend që të kërkonte aleancat brenda shtëpisë, të niste nga thashethemet dhe provokimet e rëndomta, ai zgjodhi një aleat jashtë shtëpisë “më të famshme”, Prokurorinë e Tiranës.

    Ndërsa banorët aty investojnë kohë dhe nerva për t’u lidhur e zgjidhur me banoret e tjerë, Osmani zgjodhi rrugën e sigurtë drejt rikthimit të famës së dikurshme: Të bëhet protagonisti i një arrestimi në kohë reale, duke i dhënë kështu “reality show” një kuptim krejt të ri.

    Në vend të një finale me lot, ngasherime e perqafime, Osmani, me një lëvizje të papritur, nderroi statusin e tij nga personi më i kërkuar në personin me të klikuar, duke i dhënë kuptim të ri fjalës “vip” – Very Idiot Person ose Very Important Prisoner.

    Ndoshta mësimi më i madh që mund të nxirret nga kjo sagë policore është se në kërkimin për famë, disa zgjedhin të këndojnë, të kërcejnë, ose të bëjnë humor, ndërsa të tjerët… thjesht  kërkojnë prangat live në televizion.

    Lojtari i ri na mësoi se nuk ka nevojë të vrasësh mendjen për votat e publikut kur mund të sigurosh vëmendjen e tij me një operacion policor.

    Në fund të fundit, çfarë është më emocionuese  të shohësh një person që tenton të fitojë 100 mijë euro duke qëndruar i fshehur brenda një shtëpie me kamera, për javë të tëra apo të jesh dëshmitar i arrestimit të tij në transmetim direkt?

    Siç deklaron vetë, ai dinte se ka kallëzim ndaj tij dhe jo dënim.

    Pasi ka udhëtuar me avion nga Gjermania për t’u futur në BB VIP, ka kaluar pa problem kontrollin kufitar në Rinas. Vellai i Madh do të hapë zarfin e zi për të zbuluar si ka ndodhur ky kalim. Ndërsa ai nga shtëpia më e famshme, perfundoi te shtëpia pa qera.

    Lojtari i shtëpisë së  famshme provoi katerciperisht përsëri e përsëri që VIP në Shqiperi nuk mund të jesh nëse nuk je i denuar per mashtrim dhe më e rëndësishmja, edhe policia e ndjek Big Brother-in.

    Le të shpresojmë se kryetarë bashkish, deputetë apo ministra të caktuar nuk do të ndjekin këtë strategji loje, por do të jenë më të sofistikuar.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit