12.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Artikulli i NYT: Kush është “subjekti” që përfitoi koncesion nafte pas takimit të McGonigal në Tiranë (dhe pse nuk e përmend opozita)

    Në artikullin e botuar nga NYT mbi McGonigal, ndër të tjera shkruhet:

    “Në shtator 2017, ata udhëtuan për në Shqipëri, ku Neza e prezantoi McGonigal me Dorian Duçkën, një ish-zyrtar shqiptar që shërbente si këshilltar informal i kryeministrit të vendit, Rama. Duçka, i përshkruar në aktakuzën e Uashingtonit si Personi B, e solli McGonigal të takohej me kryeministrin Rama.McGonigal duket se është përpjekur të shtyjë kryeministrin drejt dhënies së një licence për shpime nafte për një subjekt të lidhur me Nezën dhe Duçkën, – sugjerojnë prokurorët”.

    Kush është ky subjekt? Bëhet djalë për Shefqet Dizdari, administrator i një kompanie nafte.

    Në mars 2018, kompania shtetërore e naftës Albpetrol mbajti një tender për dhënien me koncesion të vendburimeve Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë, duke shpallur fituese, pikërisht kompaninë e Dizdarit.

    Kompania kanadeze Letho Resources Corp bëri padi në Gjykatën Administrative të Vlorës.

    Vendimi i Gjykatës Administrative të Vlorës, tregon se Terraoil nuk i përmbushte kushtet për t’u kualifikuar në garën për tre fushat e reja naftëmbajtëse dhe aq më pak për t’u shpallur fituese.

    Sipas gjykatës, kompania Terraoil Swiss sh.a me administrator avokatin Shefqet Dizdari, në aplikimin e saj në tender nuk ka dorëzuar dokumentet e kërkuara për kushtet teknike.

    Gjykata vëren gjithashtu se tenderi është mbajtur në mungesë transparence nga Albpetrol dhe Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, ndërkohë që Terraoil Swiss është shpallur fituese, edhe pse kishte një ofertë financiare “më pak të favorshme” se pala paditëse për njërin prej vendburimeve, atë Cakran-Mollaj.

    “Në vlerë monetare, oferta e “Letho” për palën shteti shqiptar është rreth 10 milionë dollarë më e mirë në krahasim me ofertën Terraoil Swiss (ish-Transoil Group sh.a),” shprehet Gjykata Administrative e Vlorës.

    Megjithatë, më 9 maj 2018, ish-ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri urdhëroi ngritjen e një grupi negociator për lidhjen e marrëveshjes me kompaninë Terraoil Swiss (në atë kohë quhej Transoil Group).

    Një muaj më vonë, ministri i kërkoi Albpetrolit që të bëjë kërkesë në Agjencinë Kombëtare për Burimet Natyrore për pajisjen me licencë marrëveshjeje të koncesionarit.

    A është favorizuar kjo kompani për shkak të lidhjeve mes ish-zyrtarit të FBI dhe Ramës?

    Kjo është një pyetje e bukur për kryeministrin, por as PD e foltores, as PD e vulës dhe as pjesa tjetër e opozitës nuk e prek këtë pikë të rëndësishme të implikimit të McGonigal në Shqipëri, ku vërtetë mund të kemi favorizim.

    Kjo ndodh sepse Dizdari, një person nga Tropoja që njihet si “avokat”, është person i afërt i Berishës dhe i PD-së. Janë provuar edhe lidhje të këtij subjekti me Gazpromin rus dhe kompani serbe të naftës, dhe këtu tema zgjerohet.

    Ndoshta duhet pritur artikulli i ardhshëm i NYT?

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit