Prelë Gjoni dhe Lekë Gjoni, babë e bir, ranë pre e një atentati pasditen e së dielës, teksa po ktheheshin drejt banesës së tyre në zonën e Grudës, në Shkodër.
Dy persona, ende të paidentifikuar, u zunë pritë në rrugën e fshatit Xhan dhe hapën zjarr me breshëri në drejtim të automjetit me të cilin po udhëtonin.
Në vendngjarje janë gjetur më shumë se 50 gëzhoja, ndërsa të dhënat paraprake të hetimit flasin për përdorimin e dy armëve të zjarrit, një kallashnikov dhe një MP5.
Nga sulmi mbetën të vrarë Prelë Gjoni, 82 vjeç dhe djali i tij, Lekë Gjoni, 57 vjeç, ndërsa personi i tretë që ndodhej në automjet, Lazër Bashi, mbeti i plagosur dhe sipas informacioneve të bëra me dije së fundmi nga Spitali i Traumës fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 16:00, në një segment të rrugës së fshatit Xhan, në një zonë të thellë dhe të thyer malore të Dukagjinit.
Babë e bir kishin kaluar një ditë më parë në banesën e tyre të vjetër në Dukagjin, ku mbanin edhe disa koshere bletësh dhe pas qëndrimit atje ishin nisur për t’u kthyer drejt banesës së tyre në Grudë.
Teksa po udhëtonin në rrugën e fshatit, dy persona të paidentifikuar dyshohet se u kanë dalë përpara dhe kanë hapur zjarr.
Ata kanë qëlluar me breshëri plumbash, ndërkohë që siç shihet dhe në pamjet e mëposthme mjeti tip fouristradë me të cilin babë e bir dhe Lazër Bashi po udhëtonin është bërë shoshë.
Para grupit hetimor, familjarët e viktimave kanë deklaruar se Prelë dhe Lekë Gjoni nuk njiheshin si persona me konflikte dhe se nuk kishin dijeni për ndonjë kërcënim të mëparshëm ndaj tyre.
Sipas dëshmive të familjarëve, babë e bir kishin shkuar një ditë më parë në banesën e vjetër në Dukagjin, ku merreshin edhe me bletari dhe po ktheheshin në mënyrë krejt normale drejt banesës së tyre në zonën e Grudës, pa pasur dijeni se në rrugën e kthimit mund t’u ishte ngritur një pritë.
Një prej pistave që po verifikohet nga policia lidhet me jetën personale të 57-vjeçarit. Rreth tre muaj më parë, Lekë Gjoni ishte divorcuar nga bashkëshortja e tij, me të cilën kishte katër fëmijë.
Megjithatë, deri në këtë fazë të hetimit nuk ka prova konkrete që ta lidhin divorcin me atentatin dhe kjo pistë mbetet në kuadër të verifikimeve të grupit hetimor.
Hetuesit po analizojnë gjithashtu aktivitetin e 57-vjeçarit. Lekë Gjoni punonte me një kamion dhe sipas të dhënave të mbledhura deri tani, ditët e fundit kishte transportuar materiale ndërtimi për një banesë në fshatin Gjuraj të Dukagjinit.
Ai kishte në përdorim edhe një eskavator, me të cilin punonte së bashku me një tjetër banor të zonës, çka ka bërë që hetuesit të verifikojnë edhe aktivitetin e tij të kohëve të fundit dhe personat me të cilët kishte pasur kontakte.



