25.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Prill, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Avokati i Ilir Metës: E futën në bagazh si kriminel, duam Edi Ramën si dëshmitar

    Avokati Kujtim Cakrani, akuzoi KLGJ-në se nuk është në lartësinë që kërkon ligji dhe shtoi se nuk njeh “as Kushtetutë dhe as Konventë Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.

    “Ne kemi modelin italian. Dëshmitë në gjyq të politikanëve kanë qenë të xhiruara me kamera. Edhe zoti Meta i do me kamera seancat. KLGJ-ja jonë, po të ishte në lartësinë që e kërkon ligji, nuk i mbante të mbyllur te kafazi i qelqtë. KLGJ-ja jonë është një grup idiotësh, që nuk njohin as Kushtetutë dhe as Konventë Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Nëse është dikush që shkel ligjin në këtë republikë, është KLGJ-ja.

    Më thoni një rast në Europë që mbyllet Presidenti në bagazh, që mbyllet në dhomë e xhamit. As në rajon nuk gjen një rast të tillë. Vetëm KLGJ-ja jonë, me ligjin e saj të shëmtuar dhe të poshtër, se është ligj bolshevik. KLGJ-ja ka një qasje bolshevike ndaj personave të cilët hetohen e gjykohen.

    Jemi vend në Evropë që pretendojmë të hyjmë në BE dhe Konventa Evropiane e ka të ndaluar ta mbash në kafazin e qelqtë. Si mund të mbyllësh kreun e Bashkisë, Presidentin në kafaz? Fajin e ka KLGJ-ja.

    Unë kam bërë kërkesë dhe kreu i gjykatës nuk më ka kthyer përgjigje. Edhe KLGJ-ja s’më ka kthyer përgjigje. E dini pse? Sepse është shkelje e Kushtetutës të mbash tjetrin të mbyllur në kafaz dhe ta gjykosh. Është diskriminim dhe poshtërim”, shtoi Cakrani për A2.

    Cakrani, deklaroi se do të bëjë të pamundurën që kryeministri Edi Rama të dëshmojë në procesin ndaj ish-presidentit Ilir Meta.

    “Zoti Rama na del pesë herë te çështja e zotit Meta, por prokurorët nuk arritën dot ta pyesnin zotin Rama. Në një nga episodet e akuzës së zotit Meta është sepse është votuar ligji i minierave. Ndërkohë që ligji është propozuar nga PS-ja, është bërë e gjithë procedura nga deputetët e Partisë Socialiste, është shtruar në Parlament nga zoti Hoti, ish-deputet i Shkodrës i Partisë Socialiste dhe është mbrojtur përpara deputetëve të vitit 2015 me një entuziazëm dhe një fjalim brilant, siç i bën Rama, dhe në fund fare SPAK nuk arrin të përmendi të gjithë këtë dhe nuk i pyet.

    SPAK i thotë Metës: “Jo, mund të kesh ndikuar ti që është votuar ligji me 73 deputetë”. Ndërkohë që mazhorancën e kishte Partia Socialiste. SPAK për ta zbardhur këtë gjë mund të pyesë edhe Ramën, mund të pyesë të gjithë deputetët dhe nuk i ka pyetur. Këtë ligj e iniciuan dhe e parashtruan në komision të ligjeve. Pra, ata që të cilët e bënë këtë ligj nuk janë pyetur”, tha Cakrani.

    “Ne kemi vendosur që të gjithë personat të cilët, përveç atyre që janë pyetur, detyrimisht do thirren aty përsëri të dëshmojnë. Ne do thërrasim dëshmitarët tanë të cilët nuk janë pyetur me qëllim, pa qëllim, pa dashje, janë anashkaluar nga organi i procedurës. Ndër këta persona është edhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, zoti Rama, që do vijë të dëshmojë aty për të gjitha veprimet që ai ka bërë.

    Ai është kryetari i mazhorancës. Ai e ka mbrojtur me zë dhe me figurë përpara shqiptarëve ligjin dhe u tha shqiptarëve që “tani u zgjidh problemi i minierave”. Problemi është ky, që zoti Rama do thirret aty dhe të jeni të bindur që ne do të bëjmë të pamundurën që ai të vijë të dëshmojë, por kjo pastaj varet nga gjykata”, shtoi Cakrani.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit