spot_img
spot_img

BE si Rilindje – Rama lidh integrimin evropian me figurën e Naim Frashërit

spot_img

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një mesazh simbolik në media sociale, duke e lidhur procesin e integrimit evropian të Shqipërisë me figurën e Naim Frashërit dhe trashëgiminë e Rilindjes Kombëtare.

Në një postim në media sociale, Rama shkruan se drita jeshile për hapjen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE përkon me 180-vjetorin e lindjes së poetit dhe mendimtarit Naim Frashëri.

Ai e cilëson këtë si një “mister të gëzueshëm”, duke theksuar simbolikën historike të momentit dhe rolin e Frashërit si “udhërrëfyes i aspiratës shqiptare drejt Evropës”.

Rama shkruan se Shqipëria, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe nën “dritën e amanetit të rilindësve”, do të synojë që viti 2030 të shënojë një etapë të rëndësishme të përmbylljes së procesit të integrimit.

Në mesazhin e tij, kryeministri përkujton gjithashtu Naim Frashërin si figurë qendrore të identitetit kombëtar, duke e quajtur “Shqipëribërësi i madh dhe i pavdekshëm”, dhe e lidh simbolikisht të ardhmen evropiane të vendit me trashëgiminë e Rilindjes Kombëtare.

Postimi i Ramës

Eshtë një mister i gëzueshëm, që drita jeshile për çeljen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkim Europian, të vezullojë në harkun e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, udhërrëfyesit gjenial të aspiratës sonë shekullore drejt “Diellit që lind andej nga perëndon”.

Me mirënjohje të madhe e kujtojmë në këtë 25 maj “Shqipëribërësin” e madh dhe të pavdekshëm, duke e thirrur Orën e Mirë të shpirtit të tij për ditët e mira që paskëtaj vijnë për kombin e për shtetin tonë.

Me punën tonë të përbashkët, nën dritën e amanetit të tij dhe rilindësve tanë, e me ndihmën e Zotit Shqipëria 2030, do ta kurorëzojë atë vit të 130-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit si Vitin Europian të Naimit, vitin e “Diellit që lind andej nga perëndon”. Dhe nëse siç tha Konica, kur u shtie në dhé Naimin e përcollën 300 shqiptarë, në Shqipërinë 2030 Shqipëribërësin e madh do ta kremtojë të gjallë një popull i tërë, i bërë njësh me familjen e Europës së Bashkuar.

Javë të mbarë!

Lajmet e fundit