15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Berisha-Rama dhe dosja McGonigal, si Korea e Veriut që mundi Brazilin 10-0 në finalen e Botërorit!

    Nga Namir Lapardhaja

    Pak vite më parë, media shtetërore në Korenë e Veriut, stisi një lajm sikur skuadra e futbollit e vendit komunist, fitoi Botërorin e Rusisë, ku në finale mundën Brazilin me një rezultat të thellë 10 me 0. Në mungesë të një medie alternative, të aksesit në internet apo të platformave të tjera informative, koreano-veriorët jetojnë nën një regjim që mund të bëjë gjithçka me ta, përfshi edhe mashtrime të këtilla, ndaj ata besojnë se vërtet e kanë fituar atë përballje në futboll.

    Ky nuk është rasti i Shqipërisë, në të cilin, përveç medias shtetërore, ka edhe një mori televizionesh private, ka gazeta, portale, burime alternative informacioni, ka akses të plotë në të gjitha platformat e internetit, emisione investigative, televizione opozitare, analistë të pavarur që kanë të gjithë mundësitë për të thënë gjithçka, të pangacmuar prej askujt.

    Mirëpo, rasti “McGonigal” është paraqitur i trilluar dhe është interpretuar sikur ka qenë një komplot i organizuar kundër Sali Berishës, gjë që çoi edhe në shpalljen e tij “Non grata”. I tillë vijon të paraqitet edhe sot, kur gjithçka ka dalë në dritë dhe kur faktet janë bërë publike.

    Madje, kur në SHBA McGonigal mori dënimin nga Gjykata Federale e Washingtonit, me 28 muaj burg “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarë që mori nga shqiptari-amerikan Agron Nezaj dhe mosdeklarim të kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama, përveç “Zërit të Amerikës”, asnjë nga televizionet nuk u mor të trajtonte dhe të sqaronte çështjen ashtu siç ishte në të vërtetë dhe jo ashtu siç ato e kishin interpretuar për një kohë të gjatë.

    Në ekranet e televizioneve tona nuk është lënë gjë pa thënë për financimet ruse të PD-së dhe të Lulzim Bashës, çfarë nuk është trilluar për lidhjet e Bashës me rublat ruse, janë harxhuar orë të tëra televizive për të stistur këto lidhje, madje “Foltorja” dhe e gjithë tymnaja 2-vjeçare e saj u ngrit mbi premisën e shitjes së Bashës te Rama dhe te financimet ruse të tij, pastaj janë bërë emisione që e lidhin “non gratën” e Berishës pikërisht me rastin McGonigal, duke e paraqitur si një kompot ndaj tij dhe si një rast që dëshmon korruptimin e SHBA-ve, edhe pse, në thelb, dënimi i McGonigal tregon të kundërtën.

    Ndonëse jetojmë në dy realitet diametralisht të kundërta me atë të Koresë së Veriut, rasti i “McGonigal” nxjerr në pah edhe një herë aftësinë manipulative që ka media e keqpërdorur dhe e financuar nga lekët e pushtetit 30-vjeçar të korrupsionit.

    Të gjendur pas faktit të kryer, pas dënimit dhe pas hapjes së letrave, tashmë, është e qartë se komploti McGonigal ka qenë i organizuar nga Edi Rama kundër Lulzim Bashës, ka qenë i stisur për të goditur kreun e opozitës në Shqipëri, Lulzim Bashën, për ta lidhur atë me financimet ruse dhe, mbi këtë akuzë dhe komplot, Sali Berisha ka manipuluar për një kohë të gjatë demokratët, duke i shtënë si mish për top, duke u marrë me njëri-tjetrin dhe duke e shkatërruar opozitën dhe dekurajuar nervin popullor të besimit te opozita në vend.

    Ramën dhe Berishën i ka bashkuar rasti “McGonigal” për të sulmuar në kohë të ndryshme, por për arsye të njëjta, Lulzim Bashën.  Pas hapjes së letrave në SHBA, kjo është e vërteta për të cilën sot do duhet të flisnin të gjithë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit