Gazetari Bledi Mane, i ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, ka shpjeguar arsyet e qëndrimeve të tij të ashpra ndaj liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Mane tha se, dikur kishte qenë anëtar i Forumit Rinor të PD-së, por është zhgënjyer nga veprimet e Berishës që, sipas tij, kanë ndarë vendin në baza krahinore.
“Sali Berisha solli njerëz nga veriu për të luftuar ata në jug. Ky burrë ka përçarë vendin dhe nuk ka dhënë kurrë llogari për krimet njerëzore që ka bërë,” – u shpreh gazetari.
Megjithatë, Mane pranoi se ka pasur një periudhë pozitive gjatë qeverisjes së Berishës.
“Nëse më pyesin nëse ka ndonjë cilësi të mirë Sali Berisha, do të thoja: qeverisja e tij në vitet 2005-2008. Ishte një periudhë me ritëm dhe zhvillim,” – shtoi ai.
Një tjetër kritikë e fortë nga ana e Manes lidhet me qëndrimin e Berishës ndaj lirisë së shtypit.
“Ai ka qenë dhe mbetet armiku numër një i shtypit. Nuk dua të lavdëroj Ramën, por, në fund të ditës, mund të thuash çfarë të duash për të dhe nuk të troket askush në derë. Kurse Berisha është hakmarrës dhe primitiv në raport me median,” – tha Mane.