Nga Irena Beqiraj
Një djalë 33 vjeç, i quajtur Alqi Bllako, si jo pak të tjerë, bëri karrierë në çdo stendë partie e parie, u arrestua. Shkeljet që ka bërë, sipas elitës drejtuese, apo parisë së fundit që frekuentoi, janë përgjegjësi individuale. Madje dëgjova që “deputetët janë të popullit”, pra është faji i popullit që i ka votuar, paçka se në lista si çorbë të prishur deputetët ofrohen nga kryetarët e Partisë.
Për Bllakon personalisht nuk kam asnjë ndjesi. Por për fenomenin Bllako në shoqëri padyshim shqetësohem. Ai nuk është as i pari as i fundit ndër të rinjtë tanë. Pa punë, pa eksperiencë, edhe pse me diploma të mira në xhep, shumë prej tyre shëtisin stendë më stendë partie, si punëtoret e seksit trotuar më trotuar, edhe në fund të përdorur e të lëshuar, mbeten të vetmuar.
Ajo që po dështojmë t’ju mësojmë të rinjve tanë është ajo që Harry Fultz i mësoi Stavro Bojaxhiut një mbasdite pas praktikës bujqësore në tokat pranë Laprakës. Stavro edhe Fultz-i u nisën për në shkollë (sot shkolla pedagogjike). Teksa bisedonin, në një moment Stavro e pyet – i cilës fe jeni zotni?
Ai i ra supeve dhe ju përgjigj – Feja ime, biri im, është të mos shkel thundrat e tjetrit dhe të më vijë turp që të kem një polic që të më ruaj nga prapa.
Pas pak arritën tek “Kursali” ku mjaft nga paria e qytetit ishin ulur në tavolinat e nxjerra jashtë. Stavro e pyet sërish – Zotni! Nuk u kam parë e as kam dëgjuar të uleni edhe ju me këta të parët tanë të qytetit! A s’keni ndonjë shok a mik prej tyre?
Ai buzëqeshi, edhe i kthehet Stavros së ri:
– Shok e mik unë kam atë që ecën dorë për dore me mua.
Fultz-i me dy doktoratura nga Universiteti i Chikagos u mësoi studentëve të tij se “kultura pa edukatën, sidomos atë të punës, ia humbet vlerat njeriut. Dhe veçanërisht edukatën e punës njeriu duhet ta ketë brilante”.
Historia e ngjitjes së Bllakos, pa eksperiencë e pa punë apo narrativat e sotme të parisë që ai frekuentoi dhe shërbeu me ngulm e devotshmëri për të ngjitur shkallët e karrierës, nuk janë thjesht çështje personale të tij apo të tyre, por projeksione ekselente të shoqërisë që kemi ndërtuar, të cilës i kanë munguar modelet si Harry Fultz.