24.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Burgosja e çakallit

    Nga Viktor Malaj

    Nëse të kesh shpirt do të thotë të mund të ndjesh dashuri, besnikëri dhe mirënjohje, atëherë kafshët janë shumë më të mira se mjaft njerëz” – Xhejms Herriot (Ish-kirurg dhe veterinar i shquar si dhe autor librash në Britani)

    Para pak ditëve një çakall i vogël kishte zbritur në qendër të Tiranës dhe po pushonte në një saksi të madhe lulesh që i përkiste një kafeneje pranë Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Pasi u pikas nga qytetarët e ardhur për kafe, u njoftua bashkia e Tiranës dhe disa punonjës të policisë bashkiake e kapën çakallin dhe e çuan diku afër Kopshtit Zoologjik.

    Nga pamjet e regjistruara me celular vihej re se çakalli ishte i ri dhe pak më i vogël se ç’janë zakonisht këto kafshë. Gjithashtu, çakalli shfaqej krejt i qetë edhe kur iu shfaqën pranë punonjës të policisë bashkiake. As kur e “arrestuan” nuk u tregua thuajse fare agresiv. Menjëherë nisën hamendjet mediatike rreth faktit se si erdhi dhe pse erdhi një kafshë e egër në mes të kryeqytetit ku jetojnë njerëz që përgjithësisht pranohet se shumica e tyre janë “kafshët të zbutura”.

    Policia bashkiake e çoi në një nga zyrat e saj periferike dhe aty nisi marrja në pyetje. Në procesverbalin e seancës pyetëse shënohet si më poshtë:

    Policia: Zotëri çakall, na thuaj pse dhe si erdhe këtu në mes të kryeqytetit ku lejohet të jetojnë vetëm të zbuturit?

    Çakalli: Së pari, unë nuk jam zotëri. Jam thjesht njëra nga kafshët e pyllit. Zotërinj atje janë të tjerë që s’dua t’ua përmend emrat.

    Policia: Zotëri çakall, këtu ndodhesh në botën e njerëzve ku të gjithë janë zotërinj dhe të barabartë.

    Çakalli: E kisha dëgjuar këtë dhe prandaj u bëra kureshtar të vij e të shoh nga afër çfarë mrekullie ndodh me njerëzit, të cilët kanë shpallur barazinë dhe s’i bëjnë keq njëri-tjetrit.

    Policia: Si ishte e mundur të vije dhe si nuk ndjeve frikë?

    Çakalli: Unë erdha pa problem deri këtu. Nuk kisha frikë sepse më kishin treguar për zemërgjerësinë, mirësjelljen, respektin dhe butësinë e njerëzve kundrejt njëri-tjetrit dhe kafshëve, pasi njerëzit këtu kanë filluar të jetojnë edhe me minj, breshka, gjarpërinj etj. që dikur i vrisnin kudo ku i ndeshnin. Pastaj, unë erdha natën që të mos frikësoj askënd sepse e dija sa i keq është nami ynë, ngaqë njerëzit e shajnë njëri-tjetrin duke e quajtur çakall.

    Policia: Duhet të dish se ke ardhur pa leje dhe ke prishur rehatinë dhe qetësinë e njerëzve mu në mes të qytetërimit shqiptar dhe për këtë do të përgjigjesh.

    Çakalli: Unë erdha pa kërkuar leje se kisha dëgjuar që te ju prej 33 vitesh ekziston lëvizja e lirë dhe hyn e del lirisht derri e dosa, pa folur për njerëzit e privilegjuar që sjellin e shesin drogë apo ushtrojnë prostitucion dhe që ju, disa prej tyre, i keni shpallur VIP-a. Në fund të fundit, unë erdha dhe zura vend tek një kafene me emrin “Botanika”, emër që e bën më të afërt me vendbanimin tim që quhet pyll. Gjithashtu, unë nuk bëra fare zhurmë, nuk e kam prishur qetësinë tuaj, as theva dyqane, as iu vura zjarrin institucioneve, as grabita banka apo qytetarë, dhe aq më pak, të ndërtoja shtëpi pa leje apo të zaptoja ndonjë tokë a ndërtesë.

    Policia: Kjo është e vërtetë, por mos harro se ke zaptuar një saksi lulesh dhe kjo përbën krim.

    Çakalli: Unë një saksi lulesh zura për disa orë, ndërkohë që ju keni legalizuar mijëra hektarë toka të zaptuara nga të ardhurit dhe, gjithashtu, qindra objekte të grabitura prej tyre. A e keni shpallur vetë barazinë përpara ligjit?! Prandaj shpresoj të mos më dënoni për këtë se, në fund të fundit, nuk bëhet nami po të legalizoni edhe një metër katror që zura unë në kryeqytet.

    Policia: E keni kuptuar gabim rendin tonë demokratik. Ne kemi shpallur barazinë përpara ligjit për njerëzit dhe jo për kafshët si ti, se jeni të egra dhe të rrezikshme.

    Çakalli: Po, ju keni shumë dekada që keni lejuar jo vetëm çakej, por edhe ujqër, hiena, dhelpra etj. t’ju pushtojnë qytetet dhe, madje, t’ju sundojnë sipas mënyrës së tyre dhe ta shpallin këtë si sundimin tuaj, pra të njerëzve. Po të kishit vënë disa tabela prej shumë kohësh në të gjitha hyrjet e qyteteve, ku të thuhej se “Ndalohet hyrja e kafshëve të egra!”, jo vetëm unë që s’do të vija, por do të kishit shpëtuar prej qindra çakejve të tjerë shumë më të rrezikshëm se unë.

    Policia: Jemi kureshtar të dimë se çfarë ju tërhoqi nga jeta e qenieve njerëzore që morët guximin të vini këtu.

    Çakalli: Erdha të shoh se si jetohet në barazi, paqe dhe mirëkuptim pa e ngrënë njëri-tjetrin siç ndodh në pyll ku jetoj unë, mirëpo u zhgënjeva sepse këtu u informova që ju hani, vrisni e grabisni njëri-tjetrin më keq se ne në pyll. Ne atje mjaftohemi të mbushim barkun sa për të mbijetuar dhe të kemi një strofull për strehim, ndërsa ju këtu keni grabitur pronat e huaja, keni ndërtuar e zhvatur pallate e hotele të tëra dhe keni krijuar pasuri edhe për disa breza, megjithëse nuk e dini me siguri nëse ata breza do të ekzistojnë apo do ju jenë mirënjohës për ato pasuri që do iu lini.

    Policia: Ju zotëri çakall jeni i padëshiruar, pasi vini nga një botë e egër moniste dhe nuk e njihni botën tonë demokratike, me pluralizëm dhe zgjedhje të lira.

    Çakalli: Më falni por gaboheni. Edhe ne atje në pyll kemi pluralizëm. Të gjithë mund të lëvizin lirisht dhe jemi të lirë për të zgjedhur cilindo midis kafshëve, por, kuptohet, se gjithmonë fitojnë më të fortët, siç janë luanët, tigrat, ujqërit etj. Tek ne triumfon në zgjedhje forca fizike, këtu tek ju triumfojnë forcat e parasë, medias dhe mashtrimit. Madje, unë do të thosha se ne jemi akoma më të lirë se ju sepse nuk e ndiejmë nevojën për t’iu servilosur apo nënshtruar shefave, drejtorëve, të pasurve, punëdhënësve etj. Ne e dimë dhe e pranojmë se më i forti ha më shumë dhe bën ligjin në “shoqërinë” tonë, ndërsa ju gënjeni veten kur besoni se jeni të barabartë me të fortët dhe se i keni të gjitha mundësitë të bëheni një ditë po aq të fortë dhe të barabartë sa ata.

    Policia: Tani, ne do të ngremë disa akuza kundër teje siç janë prishja e qetësisë publike, dëmtimi i pasurisë private (një saksi), kundërshtimi i punonjësve të shtetit dhe plagosja e lehtë e njërit prej tyre duke e kafshuar kur ai të kapi në flagrancë, dhe për këto është e sigurt se do të dënoheni me burgim të përjetshëm duke u mbyllur në Kopshtin Zoologjik.

    Çakalli: Unë nuk kam pará për avokat por më duhet t’ju them se akuzat tuaja janë të padrejta. Unë kam ardhur dhe qëndruar aq qetësisht sa askush nuk më ka pikasur derisa erdhën njerëzit të pinin kafe. Madje, unë vura re se disa njerëz ishin të kënaqur nga prania ime se po më bënin fotografi duke qeshur dhe m’u afruar pa droje. Saksinë mund ta kontrolloni përsëri dhe do të shihni se as atë dhe as bimët e mbjella në të nuk janë thyer. Ju, si njerëz, pretendoni se jetoni në një shoqëri të barabartë edhe pse e kemi marrë vesh edhe ne që jetojmë në pyje se deputetët tuaj kanë përmbysur dhe thyer saksitë e Parlamentit, kanë ndezur zjarr brenda dhe jashtë tij dhe s’i ka gjetur gjë. Disa qytetarë të tjerë kanë prerë e djegur qindra mijëra pemë e zona pyjore ku ne banojmë, kanë sulmuar komisariate policie, i kanë djegur ato, ashtu siç kanë sulmuar institucionet qendrore shtetërore dhe ju s’i keni ndëshkuar. Madje, pas kësaj i keni bërë sundimtarët tuaj. Nga informacionet që mora natën nga Biblioteka Kombëtare që ndodhet këtu pranë mësova se disa prej jush edhe kanë plagosur deputetë e gazetarë, kanë vrarë njerëz në mes të bulevardit dhe ju s’i keni burgosur. Në qoftë se është kështu, atëherë, kjo nuk qenka shoqëria njerëzore ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Ai që kafshon një gisht shkuaka në burg, ndërsa ai që “ha” dhjetëra apo qindra njerëz të pafajshëm mbahet për hero dhe ju i shkoni mbrapa me brohorima dhe hosaná.

    Policia: Duhet të heshtësh dhe të pranosh fajet dhe ndëshkimin për to sepse ne çakejtë i izolojmë si të rrezikshëm për shoqërinë njerëzore dhe rendin demokratik.

    Çakalli: Më falni, por kjo nuk është e vërtetë. Unë mësova se këtu një çakall plak dhe i zi nuk ka lënë gjë pa bërë, duke rrahur e vrarë njerëz dhe duke pasuruar krejt familjen e çakejve dhe ju e keni dërguar në shtëpi, prej ku bën mbledhje çdo ditë me tufën e çakejve të pasuruar marramendshëm këto tridhjetë vitet e fundit. Ndërsa një tjetër çakall i zi, por shumë më i ri, ju kërcënoi para pak ditësh se, së bashku me tufën që mblidhet përnatë pranë kasolles së çakallit plak, do ju djegë së shpejti Parlamentin dhe Drejtësia e Re i thotë: Mashalla! Ku është barazia këtu?

    Policia: Mos e merr guximin të krahasosh veten me çakejtë e zinj! Ata, në fund të fundit, janë racë tjetër, racë fisnike dhe ne i kemi shpallur si idhujt tanë, ndërsa tek ti vumë re se ke edhe disa qime të kuqe të cilat, jo vetëm nuk kanë vend në qytetërimin tonë modern e human, por, madje, do t’i ndëshkojmë kudo që shfaqen.

    Çakalli: Po ta kisha ditur, nuk do të vija këtu fare sepse qimen nuk e ndërroj dot siç e kanë ndërruar shumë të ngjashmit tanë me dy këmbë për të fituar pushtet dhe pasuri në kurrizin tuaj në përshtatje me periudhat kohore. Tani po e mësoj se ju i doni fort ata që ndërrojnë qimet, pa u merakosur për zakonet dhe sjelljet e tyre ndaj jush. Në fund të fundit është zgjedhja juaj dhe i pafshi hairin! E rëndësishme është të më lini të lirë të kthehem të mbijetoj në strofullën time, pasi unë nuk kërkoj as pasuri dhe as pushtet.

    Policia: Nuk i shpëton dot burgimit në Kopshtin Zoologjik, as vaksinës kundër tërbimit.

    Çakalli: Unë nuk kam nevojë për atë vaksinë sepse nuk kam kafshuar ndonjë nga çakejtë tuaj. Ato vaksina i ruani dhe përdorini tek ata që ju shqyejnë përditë, aq sa ju kanë detyruar të lini vendin tuaj e të syrgjynoseni nëpër botë. Siç e patë, nga unë nuk u tremb asnjë klient i kafenesë dhe asnjërit prej tyre s’i shkoi ndërmend ta lërë Tiranën pse ndodhesha unë aty. Ju do të shpëtoni vetëm kur të vaksinoni dhe izoloni çakejtë që ju kanë shqyer pa mëshirë prej kaq kohësh. Paçi veten në qafë!

    Morëm vesh se pavarësisht argumenteve që solli, çakalli përfundoi i izoluar përjetësisht në kafazet e Kopshtit Zoologjik. Shoqëria demokratike e di mirë kush është i rrezikshëm për të.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit