Ditën e sotme, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, priti homologun e tij, ministrin e Mbrojtjes të Greqisë, Nikos Dendias.
Në fokus të kësaj vizite zyrtare ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh Shqipëri-Greqi dhe vijimi i dialogut të ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Duke e vlerësuar mbështetjen e Greqisë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë, Ermal Nufi u ndal tek promovimi i stabilitetit dhe sigurisë rajonale, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor – i cili mbetet prioritet strategjik i përbashkët i dy vendeve tona.
Nufi u shpreh se: “Objektivi kryesor i Shqipërisë në rajon mbetet avancimi i stabilitetit politik, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Për këtë arsye, ne jemi të pranishëm me personel në EUFOR ALTHEA në Bosnjë-Hercegovinë dhe në KFOR në Kosovë.
Gjithashtu, forcat detare shqiptare dhe ato greke ruajnë koordinim dhe ndërveprueshmëri të shkëlqyer përmes misioneve në Detin Egje dhe Mesdhe, përfshirë Operacionin “Sea Guardian” të NATO-s.
Ndërkohë, Shqipëria po ndërmerr aktualisht përpjekje për forcimin dhe modernizimin e flotës së saj detare, çka do të rrisë më tej sigurinë detare dhe praninë e Aleatëve në rajonin Adriatiko-Jonian.”
Ministri Nufi vlerësoi gjithashtu edhe ndërveprimin e fortë aktual ndërmjet personelit ushtarak përmes aktiviteteve të përbashkëta, edukimit ushtarak, programeve të trajnimit dhe shkëmbimit të ekspertizës; teksa theksoi rëndësinë e veçantë të ri-vitalizimit të protokollit teknik mbi bashkëpunimin ushtarak mjekësor ndërmjet dy vendeve tona.
“Besojmë se duhet të synojmë riaktivizimin e këtij kuadri, veçanërisht në fushat e kujdesit shëndetësor të specializuar, trajnimit mjekësor dhe shkëmbimeve profesionale, në frymën e përfitimit të ndërsjellë dhe partneritetit strategjik.” – është shprehur Nufi përgjatë bashkëbisedimit me homologun Dendias.
Përgjatë takimit, të dyja palët vlerësuan gjithashtu bashkërisht rritjen e përpjekjeve për zhvillimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimit ushtarako-industrial si prioritete kyçe për të gjithë Aleatët, veçanërisht në dritën e dinamikave dhe vendimeve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.



