9.5 C
Tirana
E hënë, 2 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Çmimet e ushqimeve do të mbeten të larta, duke dëmtuar më shumë vendet e varfra

    Covid-19 ka pasur një efekt negativ në çmimet e ushqimeve. Në fillim të vitit 2020, kur pjesa më e madhe e botës hyri në izolim, u rrit frika se grumbullimi i rezervave dhe kufijtë e mbyllur do të shkaktonin rritjen e çmimeve, shkruan The Economist.

    Por në fakt, çmimet pothuajse nuk ndryshuan. Vetëm disa muaj më vonë, kur në vendet e pasura, pandemia dukej se po zbutej dhe ekonomitë u rihapën, çmimet filluan të rriteshin me shpejtësi alarmante. Deri në maj 2021, ato arritën nivelin më të lartë që nga viti 2011, pasi u rritën me 40% në 12 muaj, sipas një indeksi nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së.

    Në vitin 2022, të njëjtat forca që krijuan këtë rritje do të vazhdojnë të shkaktojnë telashe, gjë që do të thotë se ka pak mundësi që çmimet të ulen. Një faktor kyç që shpjegon këtë dukuri, është shpërthimi i gripit të derrit në Kinë në vitin 2018, i cili përgjysmoi tufën e derrave.

    Kjo e detyroi vendin të importonte më shumë mish derri dhe të kërkonte burime alternative të proteinave (kryesisht shpendë dhe peshk), së bashku me drithërat për t’i ushqyer ato, gjatë viteve 2019 dhe 2020, duke shkaktuar reduktimin e rezervave globale. Ndërkohë, provat se sëmundja është përhapur sërish, po rrisin edhe një herë frikën se do të ketë mungesa. Këto dyshime do të vazhdojnë në vitin 2022, duke çuar në zgjatjen e gjendjes së paqëndrueshme në tregjet ushqimore.

    Një faktor tjetër ka qenë problemi i pengesave logjistike të shkaktuara nga rihapja e shpejtë e tregtisë ndërkombëtare, në një kohë kur Covid-19 ende po ngadalëson dhe pengon aktivitetin në fusha të rëndësishme. Mungesa e kontejnerëve dhe numri më i ulët i avionëve të pasagjerëve në fluturim, të cilët shpesh transportojnë ushqimet më delikate, kanë bërë që transportimi i frutave dhe perimeve të freskëta, të mbetet një proces i ndërlikuar.

    Produktet kryesore si gruri dhe sheqeri udhëtojnë me shumicë në anije të mëdha, por kapaciteti atje është gjithashtu i kufizuar. Këtë e ndërlikon edhe më tepër fakti se çmimet e naftës janë rimëkëmbur, duke nxitur inflacionin në thuajse gjithçka, që nga plehrat kimike dhe kimikatet, deri te kostoja e transportit nëpër fusha dhe oqeane. Në vitin 2022, këto forca mund të pakësohen, por kjo do të ndodhë vetëm në mënyrë graduale.

    Ndoshta burimi më i madh i pasigurisë, sidomos në lidhje me bujqësinë, do të jetë moti. Në fillim të vitit 2021, çmimet u rritën pjesërisht si rezultat i thatësirave në rajonet prodhuese të drithërave në Amerikën e Veriut dhe të Jugut.

    Kushtet e mbjelljes dhe korrjes u përmirësuan gjatë gjithë vitit, por shkencëtarët tani mendojnë se ka probabilitet të lartë për një tjetër La Niña – një dukuri atmosferike që çorientoi modelet klimatike gjatë dimrit të kaluar. Ndërkohë, fatkeqësitë më të shpeshta natyrore nga ndryshimet klimatike, si përmbytjet dhe zjarret (të cilat qenë të shumta në vitin 2021), mund të dëmtojnë edhe më rëndë prodhimin në të gjithë globin.

    Megjithatë, duke përjashtuar skenarin më të keq, bota nuk duhet të ketë arsye për panik. Pavarësisht inflacionit të lartë, çmimet ndoshta do të mbeten nën nivelin e viteve 2007-2008, kur frika globale e ushqimit shkaktoi trazira në të gjithë botën.

    Shumica e vendeve kanë shmangur masat tejet proteksioniste – ndalimet e eksporteve dhe grumbullimi i rezervave – që ndezën krizën në atë kohë. Dhe shumica e ushqimit që konsumojnë njerëzit, përpunohet, çka do të thotë se kostoja më e lartë e lëndëve të para, pjesërisht absorbohet nga ata që e transportojnë, përpunojnë dhe e tregtojnë ushqimin në çdo hap.

    Por mallrat më të shtrenjta bujqësore do të shkaktojnë dëm të madh në vendet në zhvillim, sepse popullsia e tyre ha më pak ushqim të përpunuar: më shumë vezë dhe drithëra, më pak çokollatë dhe ushqime të gatshme. Dhe mjetet e përpunimit atje janë më të pakta.

    Dëmi do të përkeqësohet nga probleme të tjera që godasin më shumë vendet e varfra, si zhvlerësimi i monedhave lokale, kufizimet dhe ndërprerjet për shkak të Covid-19 dhe reduktimi i të ardhurave familjare, për shkak të pandemisë dhe pasojave të saj. Një ilaç i fuqishëm do të ishte vaksinimi, në mënyrë që ekonomitë e pazhvilluara të rihapen dhe të ardhurat e tyre të fillojnë të rriten përsëri. Fatkeqësisht, perspektivat për një përparim të shpejtë në këtë front, janë të zbehta.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit