19.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Çmimi për Agron Tufën, çmim turpërues për shtetin…

    Nga Ilir Mborja

    Një lajm që mund të ishte normal në jetën normale të një shoqërie normale ia befi në këtë fund viti. Para dy ditësh, një komision letrar shtetëror i dha çmimin e romanit më të mirë të vitit 2021 “shkrimtarit” me emrin Agron Tufa. Për shumicën e shqiptarëve që kanë ndjekur aktualitetin e viteve  të fundit, në mendjen e tyre ky emër çdo gjë mund t’u sjellë, veç jo shkrimtarin.

    Emri i Agron Tufës u kujton më së pari një person që ia mbathi nga Shqipëria në dhjetor 2019 duke kërkuar strehim politik në Zvicër. Arsyeja e vërtetë e “të mbathmes” së Tufës ishte se ai ia arriti të bëhej personi më i urryer i shumicës së shqiptarëve, që, për të mbuluar vjedhjet galopante që iu zbuluan sheshit, duke luajtur rolin e viktimës së “antikomunistit”, nuk reshti për asnjë çast së vjelli vrer kundër heronjve të Luftës sonë Antifashiste Nacionalçlirimtare.

    Kjo u shoqërua me skandalin e madh të vjedhjes e të plagjiarizmit të “doktoraturës” së tij, që u zbulua dhe u vërtetua katërcipërisht prej investigimit tonë. Doktorata e vjedhur në të bardhë e Agron Tufës doli e gjitha një plagjiaturë, dhe ai i një hajdut i pronës intelektuale të të tjerëve. Provat e plagjiarizmit të tij ishin kaq të forta, saqë hajduti nuk mundi në asnjë rast ta mohonte vjedhjen që pati bërë. Madje, e pranoi edhe vetë. Pas gjashtë muajsh syrgjynosjeje, duke e ribotuar (tashmë me referenca gjithsesi gjysmake) “doktoraturën” e tij, ai e pranoi botërisht vjedhjen e pronës intelektuale të profesor Aristotel Spiros dhe, rrjedhimisht, edhe vjedhjen e parave të shqiptarëve, kur u pagua me 200.000 lekë të vjetra në muaj për 11 vjet rresht…

    Vjedhjen e pranoi, por paratë nuk i ktheu… Por ajo që bëri më shumë përshtypje atëherë është se, veç Fatos Tarifës, asnjë person tjetër nga bota universitare nuk doli që ta dënonte plagjiatorin Agron Tufa. Asnjë tjetër! Përkundrazi, dolën disa pedagogë “trimosha” dhe “intelektualë pesë lekë Tufa” që u solidarizuan me Tufën. E ç’thanë këta të ashtuquajtur “intelektualë” e “pedagogë”? Se janë edhe ata Agron Tufë, të mbledhur bashkë në një tufë. Domethënë, mbrojtën hapur plagjiarizmin, vjedhjen, edhe pse morali dhe ligji e dënojnë vjedhjen. Këta të pamoralshëm, që shteti i paguan të përgatisin brezin e ri të shkencëtarëve shqiptarë, duke nxitur plagjiarizmin i bëjnë varrin arsimit shqiptar dhe të ardhmes së këtij kombi. Në mbrojtje të Tufës u vunë rektorati, dekanati, departamenti, por edhe ndonjë individ jashtë botës universitare, që u impresionua nga manteli i tij antikomunist…

    Në fakt, për mua, ata nuk mbrojtën Tufën, por mbrojtën veten e vet, mbrojtën plagjiarizmin që ka mbërthyer si gangrenë universitetet publike (por edhe jopublike) shqiptare, mbrojtën aktet e tyre kriminale, dhënien në të bardhë të titujve doktoratë, pa paraqitur asnjë lloj punimi, mashtrime të dënueshme nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë dhe objekt i punës së SPAK-ut… Kjo dhe vetëm kjo ishte arsyeja e vërtetë që Agron Tufa ia mbathi nga Shqipëria. Koha kaloi, por autoritetet zvicerane ia refuzuan statusin e azilantit politik plagjiatorit Agron Tufa.

    Nuk u mashtruan nga letrat me “fakte” të sharlatanit Agron Tufa. Si e pa që mashtrimi nuk i eci dhe nuk e mori dot statusin e azilantit, vazhdoi të ushtronte zanatin që di të bëjë më mirë se çdo gjë tjetër: shantazhimin e shoqërisë shqiptare, duke përdorur në mënyrë selektive dokumente të klasifikuara për të rifituar faktorizimin e vet në jetën politike e shoqërore të vendit. Njëkohësisht, vazhdoi të botonte krijimtari (tollovi) letrare, meqenëse një pjesë e establishmentit botues e ka mbledhur mendjen se nuk përbën mëkat të promovosh e mbështetësh një falsifikator të historisë dhe një plagjiator tekstesh shkencore. Ky është morali i të pamoralshmëve të shoqërisë së sotme shqiptare! Mirëpo, duke vepruar kështu, botuesit shqiptarë i kanë bërë një dëm të pallogaritshëm azilkërkuesit të dështuar Agron Tufa.

    Sa më shumë botime në Shqipëri, aq më pak argumente për gjoja “rrezikimin” e jetës së tij nga diktatura imagjinare komuniste! I vetmi vend shpëtimi për “shpirtin mëkatar” të azilkërkuesit u bë atdheu i tij i mohuar. Çfarë ironie! Gjithë establishmenti i kalbur universitar e letrar i Shqipërisë u kthye në një vatër bujare për pjellat e mendjes së çartur të Agron Tufës. Kulmi u arrit tani në trevjetorin e vetë syrgjynosjes së tij. Në një ceremoni ndarjeje çmimesh para dy ditësh, shpallësi shprehte keqardhjen që Agron Tufa nuk ishte i pranishëm për të marrë në dorëzim çmimin!

    Oksimoroni s’ka të mbaruar: Shteti, që Tufa e ka akuzuar në Zvicër se nuk i siguron jetën, i jep zyrtarisht një çmim!!! Dhe, bashkë me të, i jep (!!!) edhe 5 milionë lekë të tjera të ne taksa paguesve të grabitur në vite nga ai person… A mund të më thotë kush se nuk është i keqardhur që ende në hapësirën shqiptare forcat destruktive marrin fytyrën e komisioneve shtetërore të çmimeve letrare, të cilat përbëhen nga dekanë e zëvendës dekanë fakultetesh apo punonjës institucionesh akademike? Nëse drejtues universitarë, i japin çmim një plagjiatori të sprovuar që ka kaluar nga universiteti i tyre, atëherë a nuk kemi të drejtë t’i akuzojmë ata si nxitës e mbrojtës të plagjiarizmit, t’i akuzojmë si minues të arsimit të lartë shqiptar…? Ata mund të bëjnë deklarata të bukura për punën që kryejnë në fakultetet që drejtojnë, por të gjitha ato janë fjalë në erë.

    Janë pikërisht ata që po e çojnë arsimin shqiptar drejt varrit. Dhe prova janë vetë ata dhe gjendja skandaloze me regjistrimet. Gjithnjë e më pak studentë të regjistruar. Gjithnjë e më shumë studentë që u janë neveritur shumica e pedagogëve. Gjithnjë e më shumë studentë që duan të braktisin vendin… Le të vijmë tani edhe në aspektin tjetër. Kryetarët e anëtarët e këtyre komisioneve shtetërore harrojnë se shtetin të cilin Agron Tufa, pasi e ka mjelë me milionat e subvencionimeve, rrogave të majme që ka marrë andej- këtej (pa llogaritur vjedhjet e “doktoraturës” etj.) e mohoi dhe e poshtëroi duke e cilësuar “komunist” e “diktatorial”…

    Me qëllimin që të fitonte statusin e azilantit politik në Zvicër, Agron Tufa nuk la fjalë pa përdorur e helm pa lëshuar kundër Shqipërisë që aspiron Bashkimin Europian. Ndoshta ministres së Kulturës dhe komisionerëve të saj nuk u ka vajtur mendja se ajo dhe ata që ajo emëroi në komision, përfaqësonin jo vetëm veten e tyre, por në radhë të parë shtetin. Të këtij shteti që Tufa e ka akuzuar pa të drejtë e që Zvicra, duke mos e besuar, ia hodhi poshtë kërkesën për azil.

    Ndërsa anëtarët e komisionit, si një grup me përgjegjësi foshnjore, me ministren e Kulturës në krye, i dhanë çmimin një plagjiatori! I dhanë çmim hajdutit që, që prej ekzilit, u bëzante hajdutëve në Shqipëri para zgjedhjeve: “Të marrim pushkët, Ramën s’e rrëzojmë dot me votë!”… Ata qofshin! Nuk rrinin dot pa i dhënë çmim atij farë “shkrimtari” pa lexues!!! Ç’është e vërteta, Shqipëria ka krijuar tashmë precedentë edhe më të vajtueshëm e qesharakë njëherazi sesa rasti “Tufa”. Janë me dhjetëra titujt e akorduar “Mjeshtër i Madh” apo edhe “Nderi i Kombit” që, për nga mënyra se si dhe kujt u janë shpërndarë, është më mirë të mos i kesh sesa t’i kesh…

    Sikundër edhe kjo dhënie çmimi, e cila, as më shumë e as më pak, ishte e pamoralshme, ishte një tallje për shtetin që ka ofenduar Agron Tufa. Përfituesi i saj është një grafoman i rëndomtë dhe, gjithë çfarë ka shkruar, është e shpërfillur plotësisht nga lexuesi. Po kështu do ta shpërfillin edhe çmimin që i dhuruan hajdutit të rëndomtë… Ata që s’duhet ta shpërfillin dhe që shpresojmë se do të gjejnë kohë për ta thirrur, do të jenë prokurorët e SPAK-ut… Prandaj, për të gjitha këto, kjo tallje me qytetarët e këtij vendi, të kësaj shoqërie të grabitur nga tufa e hajdutëve, ishte e tepërt këtë fundviti…

    Dikush me të drejtë mund të thotë se, në një vend ku nderohet zyrtarisht hajduti, nuk ka vend më për të ndershmit. Ashtu është, po kjo nuk duhet të ndodhë. Çmimi për një hajdut ishte një çmim turpërues vetëm për dinjitetin e shtetarëve tanë dhe atyre intelektualëve që iu bashkuan atij në atë turp…

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit