11.5 C
Tirana
E premte, 3 Maj, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Çna tregon “rikthimi” i Ilir Metës

    Nga Edona Llukaçaj

    Pas një heshtje disi të gjatë dhe kur shumë menduan se ish-presidenti Meta do pranonte që gjërat të rridhnin e bota e politikës shqiptare të rrotullohej edhe pa të, ai vendosi që të fillonte rifaktorizimin vetjak mbi një bosht paralelesh.

    Ringritjen po e kërkon me stilin despotik “partia lind e vdes ne mua”, që në politkën tonë nuk e hasim fort rrallë, as në pluralizëm.

    Në fakt, shumëçka në këtë rikthim të zotit Meta të kujton orvatjet berishiane për pushtet e përjetësi. Si idhulli i vet politik para pak vitesh, edhe ai u kap “çmendurisht” pas trendit të rithemelimit, ndryshe idesë “bëjmë sikur po ndryshojmë gjithçka për të mos ndryshuar asgjë”. Për këtë, mblodhi shokë e miq për të qarë hallet e partisë, se nuk ia kishin udhëhequr si duhet më të besuarit.

    Fabula që doktori ndërtoi, asokohe, ishte tradhëtia e përgjumur e pasardhësit politik, ndërsa partia e z. Meta paska qenë duke lënguar nën thundrën e nepotizmit të atyre që rrethojnë bashkëshorten, thua krejt naive në politikë. Njëjtë si doktori, rrugën e rikthimit e mori me vrull duke mos kursyer bashkëpuntorë të vjetër, padyshim ata më pak të bindurit që mban përgjegjës për rënien e vet.

    Në dukje, ish-kryeministrit Berisha rënien e partisë dhe nevojën për rikthim në pushtet ia solli ndër mend ‘non grata’ amerikane, të cilën ai e quan një komplot përbaltës, si konsideron akuzat për çështjen e ish-kompleksit “Partizani”, që e kanë burgosur në shtëpinë me ballkon.

    Ish-kryeministrin Meta, nga ana tjetër, mund ta kenë rindjellë drejt pushtetit disa çështje ligjore, jo më pak të rënda që flitet të jenë në duart e SPAK e që po ashtu, në sytë e tij, janë komplote të thurrura për ta nxjerrë nga politika, krejt si ata që po mënjanojnë doktorin.

    Si doktor Berisha, edhe zoti Meta përbetohet për pastërtinë e figurës së vet dhe se nuk e ka të largët kthimin në pushtet. Haptazi, ia ka vënë sërish syrin kolltukut të kryeministrit. Veçse premtimet i ka më bombastike.

    Kur Berisha fokusin e ka te korrupsioni që të merr frymën, Meta jo vetëm do e bëjë Shqipërinë 4 milion në pak muaj, por edhe do sjellë lirinë. Po, po lirinë; atë që edhe Skënderbeu nuk e sillte dot i vetëm, z. Meta e ka të fshehur në xhepin e kostumit që do veshë rrugës për në kryeministri.

    Si zoti Berisha edhe zoti Meta e ka fort të ashpër diskursin. Ka shpallur armik çdo rival e i ka hapur luftë kujtdo që e sheh pengesë ndaj rikthimit të tij. Të kujton një fëmijë të lazdruar që është mësuar të marrë gjithmonë gjithçka që do dhe, që kur pakëz i prishet terezia, hedh shkelma e vërret me sharje e kërcënime ndaj secilit e kujtdo.

    Teksa pretendon se nuk i bën syri tërr nga asgjë, edhe zoti Meta, si doktor Berisha, ka frikë se ndoshta këtë herë nuk ka rikthim. Shifrat me kokëfortësinë e vet dëshmojnë për rënie domethënëse në përkrahjen ndaj tyre. Prandaj, si ai, si doktori po përgatisin një alternativë: dikë tjetër që, njëkohësisht, është edhe shëmbëlltyra e vetë atyre.

    Në takimet poshtë ballkonit, te protestat e mesditës të së premteve te Bashkia e Tiranës e në të tjera raste, znj. Argita Malltezi po shfaqet përditë e më fuqishëm si një alternativë përbashkuese e atyre që e duan dhe atyre që nuk e duan rikthimin e Berishës. Ndërsa z. Meta po mbështet tek aleatja e tij më e vjetër. Po polarizohet me znj. Kryemadhi, aq sa ndokush mund të aludojë se nuk po zhbëhet vetëm familja politike.

    Po e largon atë nga vetja furishëm, po e bën të huaj, aq sa opinionit publik po fillon t’i dhimbset kjo grua bullizuar pamëshirshëm, kjo viktimë e pafaj. Kështu, në fakt, po e bën më të dashur, duke e kthyer në një “Mona” përbashkuese të atyre që e duan dhe nuk e duan Metën.

    Është vështirë të thuhet nëse z. Meta dhe z. Berisha do arrijnë të kthehen prapë e prapë në pushtet apo nëse kjo është kënga e fundit e këtyre dy mjellmave të politikës sonë.

    Por me siguri, kultin e politikëbërjes së vet po përpiqen ta ngulin thellë në dekadat e ardhshme me kinse riorganizime a rithemelime, ku gjithçka mund të ndryshojë, por ata jo.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit