spot_img
spot_img

Djali i Hashim Thaçit takon Ramën: Qëndruat në anën e së vërtetës kur shumë të tjerë zgjodhën heshtjen

spot_img

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndarë në rrjetet sociale një foto nga takimi me kryeministrin Edi Rama, të shoqëruar me një mesazh falënderimi për mbështetjen që kreu i qeverisë shqiptare i ka dhënë luftës së UÇK-së dhe ish-drejtuesve të saj që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Në postimin e tij, ai e vlerësoi Ramën si një nga zërat më të fortë në mbrojtje të luftës së UÇK-së dhe të së vërtetës për Kosovën.

Ai tha se kryeministri shqiptar ka qëndruar në anën e së vërtetës edhe në momentet kur, sipas tij, shumë të tjerë kanë zgjedhur të heshtin.

“Një takim i veçantë me Kryeministrin e Shqiptarëve, Edi Ramën, i cili është ndër më të zëshmit në mbrojtje të luftës së UÇK-së dhe të vërtetës sonë në Hagë.

Kryeministër, faleminderit që qëndruar në anën e së vërtetës kur shumë të tjerë zgjodhën heshtjen”, shkruan Thaçi.

Gjatë ndalesës së tij në Tiranë, Thaçi u takua edhe me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

“Një kafe sot në Tiranë me Endrit Hashim Thaçin, shpresoj shumë sot një muaj ta kemi edhe Presidentin Thaçi mes nesh”, shkroi Balla në rrjete sociale.

Lajmet e fundit