Briseida Çakërri dhe Sara Mila janë dy deputetet e reja të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, njëra përfaqësuese e qarkut të Vlorës dhe tjetra përfaqësuese e Elbasanit.
Të dyja deputetet socialiste të intervistuara veçmas nga gazetari Roland Qafoku në DritareTv, Çakërri dhe Mila kanë folur për vitin e trazirave të 1997-ës.
“Kam qenë vetëm gjashtë vjeç kur mora pjesë për herë të parë në protesta në vitin 1997. Nga atëherë politika ka qenë pjesë e jetës sime. Kam qenë aktiviste në Fresh, pastaj kryetare e organizatës së lagjes dhe më pas për rajonin”, Briseida kujtoi gjatë intervistës aktivitetin e saj të hershëm politik, që nisi që në fëmijëri.
Ajo u shpreh se asokohe ka qenë 6 vjeç, por për ta saktësuar, në atë periudhë rezulton të ketë qenë ende 4 vjeçe duke marrë parasysh datëlindjen e ligjvënëses në maj të 1992-it.

Ndërsa u shpreh se çfarë i ka mbetur në memorie nga protesta është fakti sesi Berisha është sot ende në Kuvend si koleg i saj deputet.
Ndërkohë kolegia e saj Sara Mila edhe pse 2-vjeçe asokohe, kishte përjetuar ferrin e 1997-ës dhe se nuk mund ta shoh Berishën si normalitet.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 11 majit, Briseida Çakërri u rendit e 11-ta nga 16 kandidatët e PS-së në qarkun e Vlorës, duke marrë 2,610 vota në Shqipëri dhe 38 në diasporë, gjithsej rreth 3,000 vota.
Më pas mori mandatin e deputetes pas dorëheqjes së Brunilda Mersinit (Kryebashkiakja e Bashkisë Vlorë) dhe u betua në Kuvend.
Ndërkohë deputetja Sara Mila u bë pjesë e politikës përmes platformës “Deputeti që Duam” dhe kandidoi në qarkun Elbasan.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 u zgjodh deputete dhe ishte ndër kandidatët më të votuar në qarkun e Elbasanit dhe mori 20,225 vota parapëlqyese në listat e hapura të PS-së.
Nuk dihe ende nëse këto leksione deputetët e rinj të mazhorancës i morë në shkollën verore që zgjati një muaj dhe lektor ishin xhaketa e vjetra në PS.



