10.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    E ça lajmi osht ky?

    Nga Blendi Salaj

    Po shihja para pak ditësh lajmet në një TV amerikan nga Atlanta, Xhorxha dhe qëllova historinë e një vajze adoleshente me syze e cila ka organizuar një event ku të gjithë që kanë syze optike të përdorura në gjendje të mirë mund t’i dhurojnë për fëmijët nga familje të varfëra që kanë nevojë për syze.

    Redaksia e lajmeve të WSB-TV2 e mbështet me një kronikë në lajme dhe me lidhje Live nga terreni. Në gazetari këto quhen “human interest stories” dhe ndërsa nuk prodhojnë aq klikime sa vrasjet, shërbejnë për të përçuar te teleshikuesit ndjenjën e komunitetit, të së mirës e të asaj që është e bukur dhe duhet mbështetur.

    Histori si kjo ka edhe në Shqipëri, por rrallë thuajse kurrë nuk zënë vend në lajme. “E ça lajmi osht ky?” – do përgjigjeshin në kor shumë nga gazetaria e kohës që po jetojmë.

    Gjej që edicionet janë të mbushura me emra kriminelësh, lidhjet direkte janë nga skenat e krimeve. Flitet për përdhunime, vdekje, vrasje, vdekje, drogë, vdekje, pêrdhunime, gjak, korrupsion, vdekje, vrasje, vdekje.

    Po Shqipëria e mirë pse injorohet? Ku janë shembujt e sakrificës, dhurimit, mirësisë? Pse lajmet mbjellin të till ë terror që deformon realitetin?

    PS. Nuk po them se krimet nuk duhen raportuar. Por jo të mbushin çdo edicion, fund e krye me makabritete – jam i bindur se edhe kjo po i çmend njerëzit, duke stresuar panevojshmëtisht e papërgjegjshmërisht shëndetin mendor të shikuesve. Pa e kuptuar, po normalizohen, po imitohen nga ngjarja në ngjarje. Por veç tyre, në

    Shqipëri ka edhe ngjarje të mrekullueshme, pa gjak, pa sëpata, pa makina që digjen pas atentatesh. Por shqisa, dëshira, vullneti për ta pasqyruar të mirën midis nesh është mbuluar nga lehtësia e papërballueshme e krimit.

    Madje jo vetëm edicionet e lajmeve. Tanimë edhe dyshemetë në studiot “prime time” duhen larë nga gjurmët e gjakut në fund të programit.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit