spot_img
spot_img

Shqipëria i vë “kapakun” kapitullit të katërt të negociatave, Marta Kos përgëzon Edi Ramën: Merita juaj kryeministër, ju e keni vendin në BE

spot_img

Shqipëria ka mbyllur ndërmjetësisht negociatat për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, duke e çuar në katër numrin e kapitujve të mbyllur në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Gjatë Konferencës së 10-të Ndërqeveritare, të zhvilluar në Luksemburg, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të vendit në BE. Ai vlerësoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe shprehu ambicien për të ecur me ritëm edhe më të lartë në negociata.

Nga ana e saj, komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, përgëzoi Shqipërinë për ecurinë e procesit, duke e cilësuar vendin si një nga kryesuesit e progresit në negociata. Ajo theksoi rëndësinë e përafrimit të politikave industriale me standardet europiane, veçanërisht për forcimin e ekonomisë dhe mbështetjen e bizneseve të vogla e të mesme.

“Shqipëria është një nga kryesuesit e këtij progresi mbresëlënës, po mbyllim një kapitull tjetër negociues. Bizneset e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Shqipëria po sjell politikat e saj industriale më afër BE-së. Këto janë thelbësore për të ndërtuar një ekonomi më të fortë. Dua të përgëzoj Shqipërinë për një tjetër arritje. Ne e mbështesim këtë ambicie, por reformat duhet të vijojnë Shqipëria i ka vënë vetes qëllimin ambicioz për të mbyllur kapitujt deri në fund të 2027. Nga ana jonë ne po përgatitemi për një bashkim europian më të gjerë. E ardhmja e Shqipëria është në BE dhe ju kryeministër e keni bërë atë të mundur”, deklaroi komisionerja europiane.

Ndërkohë, i pyetur për numrin e kapitujve që pritet të mbyllen deri në fund të vitit, Rama nuk dha një shifër përfundimtare, por deklaroi se objektivi është të mbyllen të paktën tetë kapituj, pra dyfishi i numrit të arritur deri tani.

“Sot Shqipëria ka hedhur një tjetër hap vendimtar drejt vendit të saj të drejtë në BE. Mbyllja e ndërmjetme e Kapitullit 20 është njohje më tej e reformave që ka realizuar Shqipëria dhe reformave që vendi ka vazhduar të ndërmarrë. Ju dëgjova qartësisht, i dashur Thomas, ju doni të bëni edhe më shumë, ne duam së paku të bëjmë dyfishin. Le të punojmë së bashku, shqiptarët dhe irlandezët dhe le ta tundim këtë shtëpi, ta bëjmë realitet”, u shpreh Rama.

Në përfundim, kryeministri përsëriti pritshmëritë për vijimin e procesit gjatë muajve të mbetur të vitit, duke theksuar se të paktën dyfishi i katër kapitujve të mbyllur deri tani pritet të përmbyllet brenda këtij viti.

“Sot mbyllim edhe një kapitull tjetër, duke e çuar numrin në katër. Dhe janë të paktën dyfishi i këtij numri që presin të mbyllen brenda këtij viti. Të shohim!”, përfundoi kryeministri.

Lajmet e fundit