Ajo që nuk pritej ka ndodhur në Washington. SHBA-të dhe Ukraina kanë prishur me sa duket marrëveshjen e mineraleve të rralla, që pritej të firmosej nga dy presidentët respektivë, Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky.
Një debat tejet i acaruar gjatë takimit kokë më kokë me mediat e pranishme duket se është bërë shkaku.
Një konferencë e parashikuar për shtyp mes Trump dhe Zelensky, e cila pritej të mbahej pas takimit, është anuluar. Aty do të firmosej edhe marrëveshje, por duket se ajo nuk është më në tavolinë.
Zelensky, menjëherë pas debatit, është larguar nga Shtëpia e Bardhë.
Trump nga ana tjetër, pas reagimit të ashpër në takim, ka reaguar me një ton tejet të acaruar edhe përmes mediave sociale.
Trump shkroi menjëherë pas në median e tij sociale Truth:
“Kam vendosur që presidenti Zelensky nuk është gati për paqe nëse përfshihet Amerika, sepse ai mendon se përfshirja jonë i jep atij një avantazh të madh në negociata.
Nuk dua avantazhe, dua PAQE. Ai nuk i respektoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zyrën e tyre të dashur Ovale. Ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”.
Detaje priten në vijim.
Shpërthimi live i Donald Trump
Ai që dukej si një takim paqësor mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, shumë shpejt u kthye në një përballje të ashpër, duke parë edhe një shpërthim real të Trump, me tone deri diku të ashpra.
Pasi Zelensky i kërkoi Trumpit të mos kishte kompromise me Vladimir Putin sa i takon negociatave të paqes, Trump tha se interesi i SHBA-ve ishte çfarë e drejtonte atë drejt marrëveshjes së mineraleve të rralla me Ukrainën dhe bisedimeve me Rusinë.
Por menjëherë më pas, Trump filloi të radhisë disa aspekte të luftës sipas tij, që reflektojnë se Ukraina nuk e ka fuqinë për të pasur zë në negociata.
Me një ton të ashpër dhe të irrituar nga prania e Zelensky-t, Trump tha: “Duhet të jeni mirënjohës. Do të jetë e vështirë të bëjmë biznes kështu. Ju nuk keni mjaftueshëm trupa. Nuk mund të na thoni ne e doni apo jo një marrëveshje armëpushimi”.
Më tej, Trump ia preu shkurtimisht Zelenskyt: “Ose bëni marrëveshje, ose ne largohemi”.
Menjëherë më pas i përmendi ndihmat e armëve, duke thënë se po të mos ishte për armatimet amerikane, Ukraina do të ishte pushtuar.
Zelensky iu përgjigj aty se këtë fjali e ka dëgjuar nga Vladimir Putin, tre ditë pas luftës.
Më pas, Trump replikoi: “Jeni duke treguar mungesë respekti për vendin tonë. Unë e di se ju (Ukraina) nuk jeni duke fituar”.
Në bisedë më pas është futur edhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i cili i ka thënë Zelenskyt se në Ukrainë nuk kanë mbetur më burra për të luftuar.
Zelensky i është përgjigjur menjëherë: “Ejani dhe shiheni”.
Teksa Trump, është futur më pas menjëherë për t’i ndarë të dy me një ton edhe më të ashpër, duke i kërkuar Zelenskyt të jetë “më falenderues me të”.
“Unë ju dhashë Javelin (raketa). Obama ju jepte shkresa. Kjo është e gjitha. Unë ju dhashë Javelin. Duhet të jenë më falenderues”, i është kthyer ai Zelenskyt, i cili edhe pse kërkoi të fliste, nuk është lejuar nga Trump.
Ndërsa, pyetjes së gazetarëve nëse do të vijojnë dot negociatat me Zelenskyn pas kësaj, Trump iu përgjigj: Nuk e di, të shohim.
Kërcënimet e Trump
Presidenti Donald Trump dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky patën njië përplasje gjatë takimit në Zyrën Ovale.
Donald Trump i tha Zelensky-t gjatë takimit: “Ju po luani bixhoz me Luftën e Tretë Botërore, duhet të jeni mirënjohës”.
Ai i tha gjithashtu presidentit ukrainas se duhet të bëjë një marrëveshje, ose SHBA do të largohet.
“Ne po përpiqemi të zgjidhim një problem. Mos na tregoni se çfarë duhet të ndiejmë, sepse nuk jeni në gjendje ta diktoni atë saktësisht. Ju nuk jeni në gjendje të diktoni se çfarë do të ndjejnë ukrainasit”, u përgjigj Zelensky
“Tani nuk je në një pozicion shumë të mirë. Nuk keni kartat kundër nesh, do iu fillojnë problemet që tani”, u kundërpërgjigj Trump.



