26.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    E përsëri, fajin nuk ua ka Erion Veliaj

    Nga Bedri Islami

    Është një punë e vështirë, por e urtë ta ndalosh një fushatë përpara çastit kur ajo kthehet në raskapitje. Edhe më tej se kaq, pra , edhe më e vështirë është të përceptosh nocionin e luftës politike që shpall opozita në secilin çast të saj, kur, dëshira për të qenë primar dhe violinë e dorës së parë kthehet në mani politike, shuarje të asaj që përceptohet si lufta e opozitës dhe kthimi i saj në butafori politike.

    Fushata e RAI-it përfundoi ende pa nisur mirë. Ustallarët e Shqup-it, që e kishin përgatitur me ngut dhe duke dashur të jetë secili autori i saj, u ngutën të shpallin luftën e tyre, duke e lënë më pas betejën të zhvillohet në një fushë tjetër, ku asgjë nuk mund të ishte e saktë, në kohën e duhur dhe, njëkohësisht, e paditur.
    RAI3, mund të ishte gjithë secila media që bie në kurthin e triumfalizmit, pa pasur asnjë trium, më kujtoi versionin e Babale 2, por tashmë nga një dorë tjetër ustai, i cili, duke mësuar nga mëkatet e asaj që kishte ndodhur në Babale 1, synoi të krijojë me akuzat e ngritura nga vetë ai, tymin e një televizioni përtej detit, për të bërë gjithçka më të besuar.

    Ajo që nuk ishte besuar në gjuhën shqipe, megjithëse e thënë, stërthënë, përsëritur dhe stër përsëritur dhjetra herë, do të dukej më e besuar në një gjuhë tjetër, njëjtë si kishte ndodhur sa herë që figura të opozitës duan të bëjnë vendin e tyre si vendin e së keqes, krimit dhe korrupsionit.

    Nëse nuk të ngjit në gjuhën tënde, është e vështirë të besohet nga një gjuhë tjetër, kur, për më tepër, koha dhe distanca e shpalljes të së dytës është krejt e afërt, në mos e njëjtë me atë të shpallur në gjuhën shqipe, nga Foltorja apo Rithemelimi, nga salla e Kuvendit apo nga maja e çatisë.

    Të gjitha gjërat e ngutura lindin të verbëra. Ashtu ishte edhe emisioni i cituar, pas të cilit u ngritën një taborr i tërë analistësh të opozitës dhe të përvëluar nga malli për pushtetin, për t’i bërë gjëmën një figure politike dhe administrative, i cili, edhe pse ishte dëshmuar korrekt dhe i saktë në përgjigjet e tij, përsëri po sulmohej në atë që nuk ishte shfaqur.

    Skena e krijuar nga Gazmend Bardhi, një njeri i dehur me vetveten, ishte e ngritur shpejt, rrëmujshëm, duke dashur të ruajë autorësinë dhe primarin në opozitën ku deri para pak muajve ishte armiku i saj. Akuzat e lëna në gjysmë dhe të fshehura pas proçedurave juridike ndaj Olsi Ramës, apo sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Agaçi, pa dorëzuar asnjë kallzim apo ngritur një çështje që mund të ndiqej nga organet e drejtësisë, për më tepër nga ata që gjithë natën dhe gjithë ditën mallkojnë SPAK dhe drejtësinë e ringritur, ndërsa kur zgjohen kujtohen se mund të përfitojnë edhe prej saj.

    Mëkatet e opozitës ende nuk kanë nisur të ndëshkohen. Dita në të cilën do të ketë tagrin e gjykimit të tyre, ashtu si edhe të qeverisjes aktuale, do të jetë e bekuar dhe e shumë pritur.

    Njeriu i akuzuar nga bashkëpunëtori i tij i afërt si organizatori i vrasjes së një njeriu në Elbasan, i krijimit të falangave të sulmit sipas përvojës naziskine, apo që ishte afër aferave me financime ruse, nuk mund të shmangë dënimin e tij, thjeshtë duke thirrur në ndihmë një media që, edhe pa këtë, ka mëkatet e gjynahet e saj.

    Meqenëse afera RAI dështoi, tani kanë gjetur një front të ri beteje: Bashkinë e Tiranës dhe drejtuesin e saj, Veliaj.
    Largimi nga objektivi Rama dhe kalimi në shenjestrën Veliaj nuk është i pa qëllimtë dhe nuk ka të bëjë me të vërtetat apo të pa vërtetat që kanë ndodhur e mund të ndodhin aty. Synimi është më i largët se kaq dhe dëshira më e thellë se sa duket.

    Në pamjen e parë, por edhe objektiv i parë është detyrimi i organeve të drejtësisë të dorëzohen para një mase demonstruese agresive, të pa moral politik dhe pa ide gjeneruese. Të dorëzohen para linçmeve politike që bëhen nga dy “deshët” e politikës, Meta dhe Berisha, njëri në mëngjes dhe tjetri në mbrëmje. Synimi mbetet i njëjtë: arresti shtëpiak i drejtuesit të Rithemelimit, të cilit i dha pak frymëmarrje shefi i qeverisë me lëshimet në Kuvend, është në objektivat kryesore, të shpallura haptas dhe të mbështetura po haptas. Mos ndëshimi i familjes Meta – Kryemadhi, latifondisëtve të fshehur pas “vjehrrës apo kunatit”.

    Veliaj është alibia e sulmit të tyre, për të shkuar edhe më tej se kaq: aferat që mund të hapen e duhet të hapen nga SPAK, edhe për liderët e opozitës, Meta, Berisha, Kryemadhi, Basha etj, do të paraqesin fakte të mëdha dhe dërmuese për veprimtarinë e tyre në dëm të kombit dhe për pasurimin e tyre vetjak.

    Jo rrallë herë, vetë këto liderë apo drejtues, në momentet kur janë përplasur me njëri tjetrin, kanë akuzuar më fuqishëm se sa ka bërë drejtësia apo qeverisja, ndoshta edhe nga fakti se ia kanë ditur të gjitha mashtrimet dhe vjedhjet njëri tjetrit. Por, nuk janë mjaftuar vetëm me kaq: në takimet që kanë pasur me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, apo në ankesat që u kanë dërguar atyre, ka shumë nga aktet e rënda që kanë ndodhur në kurrizin e pushtetit dhe duke përfituar prej tij.

    Aq e madhe është barra e mëkatit, sa që nuk do të mjaftonin disa arreste shtëpiake dhe as dënime të rënda. Shteti shqiptar, nga pushteti i dhunshëm dhe mashtrues i tyre, ka humbur shumë nga vlerat financiare, jetësore dhe morale.
    Erion Veliaj është aktalisht kryetari i bashkisë më të madhe të Shqipërisë. Më shumë se gjysma e popullsisë në këtë vend janë nën administrimin e drejtimin e tij. Është në mandatin e tretë, që, sipas vendimeve absurde, është edhe i fundit.

    Nëse do të kishte të drejtë kandidimi, me siguri, ai do të vazhdonte të qeveriste deri sa të ishte lodhur nga pushteti. Fakti që aktualisht ai është ndër politikanët më të sulmuar, thuajse në çdo studio televizive, duke ia shpallur mandatën me dëshirë të madhe, dhe nga ana tjetër është rishtas ndër politikanët më të besuar dhe më të votuar në Shqipëri, tregon dy gjëra: besimi ndaj tij nuk ka humbur; dhe, besimi ndaj fjalës së analistëve, megjithë çka po ndodh, nuk është rritur.

    Ata, analistët, vazhdojnë të jenë në njerëzit më pak të besuar në këtë vend, më të dëshifruar, shumë prej tyre ende pa nisur emsioni dihet se çfarë do të thonë dhe si do e thonë; ndërkohë shefi i bashkisë është më i besuar se tre drejtuesit e opozitës së marrë së bashku, dhe edhe pak më përtej.

    Veliaj është drejtuesi i bashkisë që, pavarësisht një mijë e një mallkimeve nga opozita dhe analistët pranë saj, vazhdon të punojë, të ketë kreditë e tija politike dhe reflektuse, të bëjë gjëra të dobishme për qytetin, i cili po rritet marra mendshëm shpejt dhe nuk mund të jetë vetëm i disa analistëve, mallkuesve dhe liderucëve të ditëve të fundit. Tirana, si çdo metropol në botë, rritet përmes fuqisë për të përballuar rritjen, dhe, Veliaj, si drejtuesi i bashkisë, pavarësisht dëshirës që mund të ketë, nuk mund t’i bjerë ndesh dëshirës për rritje, fuqizim dhe reflektim. Nëse do të ndodhte ndryshe, ky do të ishte mëkati i tij!

    Të gjitha akuzat e sotme janë ato të hershmet. Diku më të dukshme, diku më të fshehura. Mediat kundër tij , po ato. Analistët kundërshtarë as nuk janë shtuar. As nuk janë pakuar. Ndaj tyre nuk ka ndodhur asgjë regresive; as nuk janë poshtëruar, as nuk u është ndaluar të pasurohen vazhdimisht e më tej, as nuk janë ndëshkuar si oligarkët e mediave dhe të politikës në pas skenë. Shumë prej tyre jetojnë në vila dhe resorte luksi, janë ndërtues, kanë ngritur media gjysëm legale apo krejt ilegale, megjithëse pak ose asgjë nuk kanë pasqyruar në të ardhurat e tyre; ata e kanë kthyer profesionin e tyre në biznes dhe veten në mercenarë të mediave; shumë prej tyre nuk janë më “ biznese të vogla”, por kanë kthyer veten dhe objektin e tyre në seli të gjobave, kërcënimeve dhe përfitimeve. Atë që e krijojnë nga vetja në mëngjes, e besojnë në drekë dhe e diskutojnë me zjarr në darkë.

    Të njëjtët njerëz, të njëjtat mendësi, gjithnjë në kërkim të presë së radhës dhe të paskurpullt deri në marrëzi. Nëse liria e mediave është lejimi i fyerjeve, krijimit të dosjeve të rreme, aferave që nuk kanë ndodhur, presioni ndaj pushtetit për të përfituar, atëherë kjo nuk është liri, por armë e medias për të sunduar mbi pushtetin dhe për të përfituar prej tij.

    Nëse Veliaj nuk u hap rrugë , bën mirë. Nëse thyhet nga presioni i tyre, atëherë besmi ndaj tij do të bjerë. Nuk mund të ketë rrugë të dytë në qëndrimin ndaj qytetarit.

    Veliaj ndodhet në këtë moment pikërisht nën këtë presion politik. i gjithëanshëm. Nëse ai vazhdon të mbetet figura e dytë më e votuar e së majtës, kjo nuk ka të bëjë me dëshirën apo rrriten e tij, por me besimin që i është dhënë.

    Opozita kërkon të shembë figurën e dytë të së majtës, pasi e di fare mirë se, megjithë përpjekjet e tyre në dy dekada nuk kanë mundur të shembin asnjë tullë nga figura kryesore e së majtës, i cili i ka hyrë rrugës për mandatin e katërt si drejtues i qeverisë.

    E kam shkruar disa herë: opozita jonë nuk është e reformuar, ajo është e deformuar dhe as që ka ndër mend të reformohet. Nuk është fajtor Erion Veliaj për gjendjen e tyre. Bëj gaz kur shoh fryerjen e Bardhit në parlamend apo jashtë saj, kur i fryrë nga vetë madhështia kujton se është çështje nderi të ruajë për vete tonin e tiranit, duke kërkuar të vërtetën dhe ndihmën e lirisë.
    Bëj gaz kur e dëgjoj dhe mendoj se kjo opozitë, nëse nuk ndërron mendje dhe bibilushët e saj politikë kurrë nuk do të jetë në pushtet.

    E përsëri, fajin nuk ua ka Erion Veliaj.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit