Ervin Salianji ka bërë një reagim të fortë këtë të premte kundër Sali Berishës, pasi ky i fundit ka “amnistuar” Fatmir Xhafën dhe Armand Lilon për zjarrin te “5 Maji” dhe licencat që biznesmeni ka marrë për panele diellore.
“Mbrojtja që Sali Berisha i bëri sot Fatmir Xhafajt nxori në dritë atë që shumëkush e dyshonte prej kohësh: lidhjet e tyre janë të vërteta dhe të thella. Përgjegjësit kryesorë për korrupsionin dhe pallatet pa standard janë Edi Rama dhe Erion Veliaj. Por të shmangësh rolin e Xhafajt nuk është thjesht devijim dhe tymnajë, por është mbrojtje e qëllimshme”, shkruan Ervin Salianji.
Sipas tij, faktet janë aty, që nga firma e Xhafajt si ministër i Brendshëm për dakordësinë e projekteve tek pallatet e Lilos, tek ish-policia bashkiake, pallatet e Lilos në gjysmën e Tiranës dhe mbi të gjitha: dhëndri i Xhafajt që jepte lejet e ndërtimit si drejtor në bashki!
“Sot, pavarësisht se në shkelje të ligjit ai ka përfituar nga “Lubia” licenca për park energjetik, PD hesht, ashtu siç hesht për mosnisjen e hetimit pasuror ndaj Xhafajt në zbatim të ligjit antimafia apo siç i bashkohet në nismat për kontrollin punëtor-fshatar nëpër gjykata! Ashtu sic heshten dhe rrudhën buzët kur denoncoja katet pa leje para pallateve!
Kjo nuk është rastësi. Kjo është skemë. Disa përpiqen ta justifikojnë: “e mbron Xhafajn se kanë qenë bashkë në Partinë e Punës.” Jo miq, kjo është shumë më e thellë. Mbrojtja vjen nga bashkëpunimi me të njëjtët biznesmenë që ushqejnë dy autokratët: Ramën në qeveri dhe Berishën në opozitë”, vijon ish-deputeti demokrat.
Ervin Salianji thekson se e vërteta është e thjeshtë dhe e hidhur: Sali Berisha nuk është alternativë për ndryshim pushteti, por fytyra tjetër e të njëjtës medalje! Është mekanizëm mbajtjeje në pushtet për Edi Ramën.
“Dhe për këtë arsye, beteja është e dyfishtë: të rrëzojmë autokratin në qeveri dhe të largojmë uzurpatorin në opozitë Pa pastruar opozitën, nuk mund të fitohet Shqipëria. Partia Demokratike ka nevojë për ndryshim, Shqipëria ka nevojë për ndryshim! Boll më”, përmbyllet reagimi.



