spot_img
spot_img

Ervin Salianji sfidon Berishën: Publiko dosjet nëse ke guxim

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e akuzuar se është “tmerruar” për shkak të humbjes së privilegjeve.

Në reagimin e tij, Salianji i kërkon Berishës që të publikojë dosje që, sipas tij, përmbajnë fakte komprometuese, duke e sfiduar hapur për transparencë.

“Lëri llafet si llaxor lagjeje dhe dil, nëse ke guxim, publiko dosjet. Ja ku i ke, fakte jo haluçinacione prej frikës! Sepse faktet janë kokëforta”, shprehet ai.

Salianji thotë se ka publikuar një pjesë të asaj që e quan “dosja Agasi–Beqiri”, duke pretenduar se në dokumente përmenden kërcënime dhe kërkesa për para ndaj një shtetaseje të huaj.

“Në dokumente rezulton se shtetasja gjermane M.Sh. është kërcënuar se kishte hyrë në një ‘pishinë peshkaqenësh’ dhe për këtë i është kërkuar të paguajë fillimisht 1 milion euro. Ky nuk është opinion, është vendim gjykate”, deklaron ai.

Më tej, ai i drejton pyetje direkte Berishës për atë që e cilëson si heshtje të qëllimshme ndaj një emri konkret.

“Po ti pse hesht? A ke marrë ndonjë ‘llokmë’ që nuk e përmend asnjëherë Ermal Beqirin?”, shkruan Salianji.

Në fund të reagimit, ish-deputeti thekson se, sipas tij, Partia Demokratike nuk duhet të jetë “parti e një individi”, ndërsa shton se askush nuk mund ta blejë apo kërcënojë.

“Demokratët nuk janë dele. Janë guximtarë. Dhe këtë regjim Rama–Berisha do ta çmontojmë, pjesë-pjesë”, përfundon ai.

spot_imgspot_img

Lajmet e fundit