Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, duke vendosur njëkohësisht pezullimin e saj nga detyra.
Ndërkohë, me urdhër të SPAK-ut, po zhvillohen kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Aksioni nuk është kufizuar vetëm tek ish-kryepolici, pasi kontrolle po ushtrohen edhe në banesat e personave të tjerë.
Sipas të dhënave paraprake, zhvillimet lidhen me një fraksion të hetimeve për dosjen e AKSHI-t dhe biznesmenin Ergys Agasi, i arrestuar më 26 gusht, pas disa muajsh në kërkim. Hetimet drejtohen nga prokurorët Bledar Maksuti dhe Altin Dumani.
Në momentin e arrestimit, Agasi shoqërohej nga ish-zyrtari i Policisë, Uljan Shpataraku, i cilësuar në raportimet mediatike si një nga njerëzit e besuar të Prodës. Ai drejtonte automjetin “Audi RS6”, me të cilin po udhëtonte Agasi kur u ndalua nga forcat e Policisë në zonën e Plepave, në Durrës.
Shpataraku ishte shkarkuar më herët nga radhët e Policisë, ndërsa më 6 gusht ishte shpallur në kërkim pas një konflikti në një hotel në Dhërmi, ku dyshohet se kishte kërcënuar punonjësit.
Prokurorët dyshojnë se gjatë kontrolleve mund të gjenden prova që lidhen me hetimin. Këqyrja e telefonave të sekuestruar pas arrestimit të Ergys Agasit dyshohet se u ka siguruar hetuesve të dhëna për persona të tjerë.
Aksioni ka përfshirë edhe zyrtarë të niveleve të larta të administratës. Për shkak se kontrollet vijojnë, ende nuk janë bërë publike të gjitha detajet për personat e përfshirë dhe objektin e plotë të hetimit.
SPAK pritet të dalë me një njoftim zyrtar në vijim.
Arrestimi i drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, është një nga goditjet më të rënda dhe praktikisht rënie e shtetit.
Akuzat ndaj Hysenit
Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, dyshohet për veprat penale “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Nxjerrje e sekretit”.
Ndaj saj është miratuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, por nuk është ekzekutuar pasi ajo ndodhet në Baku.
Ajo dyshohet për lidhje me Ergys Agasin, kreun e dyshuar të një grupi kriminal që vepronte brenda AKSHI-t.



