Këngëtarja e njohur Xhesika Polo ka ndarë një rrëfim të ndjerë në një intervistë ekskluzive për Revistën Bordo, ku ka folur hapur për jetën, humbjet personale, marrëdhënien me prindërit dhe dashurinë e saj për muzikën.
E pyetur për momentin më të vështirë që ka kaluar në jetë, Xhesika nuk ngurron të flasë për humbjen e dy njerëzve më të rëndësishëm për të. Mamaja e saj u nda nga jeta gjashtë vite më parë, ndërsa babai në shkurtin e këtij viti.
“Kam kaluar çaste të vështira në jetë, por pa diskutim humbja e prindërve: e mamasë para 6 vitesh dhe babait shkurtin që kaloi, ishin më të vështirët”, rrëfen këngëtarja për Bordo.
Ajo e përshkruan humbjen e prindit si një dhimbje të thellë, me të cilën njeriu mëson të bashkëjetojë, edhe pse nuk mund ta ndryshojë.
“Për këdo humbja e prindit është ndjesia më vulnerabël, një dhimbje që nuk ke çfarë i bën, me të cilën bën kompromis ta pranosh. E fut në një kuti, e jeton gjithë jetën me të”, shprehet Xhesika.
Por krahas dhimbjes, në rrëfimin e saj ka edhe shumë dashuri dhe krenari për prindërit. Xhesika tregon se beson se ka arritur t’i bëjë ata të lumtur dhe krenarë për rrugëtimin e saj.
“Mendoj modestisht: jam fëmija perfekt që do të donte të kishte çdo prind. I kam bërë të lumtur dhe krenarë prindërit e mi dhe kjo është e padiskutueshme”, thotë ajo.
Marrëdhënia e saj me artin duket se është një trashëgimi e drejtpërdrejtë familjare. Babai i Xhesikës ka qenë këngëtar dhe, sipas saj, përmes saj ka mundur të ndjekë në një farë mënyre ëndrrën e tij. Ndërsa nga mamaja, e cila ishte piktore, ajo thotë se ka trashëguar syrin estetik.
“Babait i kam plotësuar ëndrrën, sepse ka qenë këngëtar dhe donte në një farë mënyre të ndiqte ëndrrën e tij përmes meje. Mamaja ka qenë piktore dhe i kam marrë syrin estetik, pikturoj për të dhe veten time”, rrëfen këngëtarja.
Pavarësisht dhimbjeve personale, Xhesika nuk ka ndërmend të ndalet. Vera për të nuk është sinonim i pushimeve, por i skenës, muzikës dhe kontaktit me publikun.
“Nuk pushoj në verë, dua të punoj sa më shumë”, shprehet ajo, duke treguar se koncertet në sheshe në të gjithë Shqipërinë janë ndër momentet që i shijon më shumë.
Për Xhesikën, muzika është një mënyrë për të sjellë gëzim dhe për të krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë me njerëzit.
“Njerëzit janë plot me energji dhe mezi presin të kenë art e muzikë, sepse lidhet me gëzimin dhe lumturinë. Dua ta ndaj zërin tim me sa më shumë njerëz, t’i bëj të kërcejnë bashkë me mua.”
Intervista e plotë



