spot_img
spot_img

Ikballja e Iranit shpallet 15 vjet non grata në Shqipëri

spot_img

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka nxjerr urdhrin për shpalljen “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë”, për një periudhë 15-vjeçare, për Igballe Huduti (Berisha).

Mësohet se motivi i këtij vendimi bazohet në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shtetese vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.

Urdhri i Ministrit të Brendshëm Lamallari i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.

Gjatë ditës së sotme edhe kryeministri Edi Rama pati një reagin ndaj saj, lidhur me përfshirjen në protestat në Tiranë.

Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruante kryeministri.

Ikballe Huduti i përgjigjet Ramës

Ikballe Huduti, pak para se të shpallej “non grata” nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i është përgjigjur akuzave të bëra ndaj saj nga kryeministri Edi Rama, i cili publikoi një foto të saj me ish-presidentin iranian Mahmoud Ahmadinejad. Rama theksoi në postimin e tij se Huduti ka mbajtur qëndrime radikale në të kaluarën.

Në një postim në Facebook, Ikballe Huduti shkruan se ka dalë në protestë në mbështetje të popullit shqiptar, duke theksuar se është dashuria për shqiptarët ajo që e ka shtyrë të dalë në shesh.

Ajo shkruan se është shqiptare dhe ndihet përgjegjëse për kombin shqiptar, për të cilin shprehet se nuk “fle e qetë” kur sheh problemet me të cilat përballet.

Postimi i plotë:

I nderuar Kryeministër Edi Rama.

Dalja ime në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare. Unë jam bijë e një familjeje shqiptare dhe kam kaluar shumë sprova, padrejtësi dhe vështirësi në jetë. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të hesht përballë padrejtësive që prekin popullin tim.

Edhe sikur trupi im të mos jetë më një ditë, fjala dhe zëri im do të vazhdojnë të jenë në shërbim të së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Unë nuk dal në protestë nga urrejtja ndaj askujt, por nga dashuria për popullin tim dhe nga bindja se çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin kur mendon se po cenohet interesi publik.

Ju bëj thirrje juve dhe çdo udhëheqësi botëror si dhe BE që të dëgjoni zërin e qytetarëve të revoltuar. Historia ka treguar se asnjë pushtet nuk është më i fortë se vullneti i një populli të ndërgjegjësuar. Besoj se dialogu, drejtësia dhe respekti ndaj qytetarëve janë rruga më e mirë për të shmangur përçarjet dhe konfliktet.

Zoti është dëshmitar i veprave tona. Pozitat janë amanet dhe përgjegjësi. Kur pushteti përdoret me drejtësi, ai bëhet bekim; kur keqpërdoret, bëhet barrë për mbajtësin e tij.

Unë jam shqiptare dhe ndihem përgjegjëse për fatin e kombit tim. Nuk mund të fle e qetë kur shoh probleme që prekin shoqërinë tonë. Besoj se njeriu vlen aq sa shqetësohet për hallet e të tjerëve dhe aq sa përpiqet të kontribuojë për të mirën e përbashkët.

Nuk kërkoj armiqësi me askënd. Kërkoj paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë.

As Lindje, as Perëndim – Paqe me Drejtësi për Shqipërinë.

Me respekt: Ikballe Berisha Huduti

Lajmet e fundit