spot_img
spot_img

Ilir Meta i kyçur nga bota dhe i “harruar” në qeli, Komiteti i Helsinkit letër burgut “313”: Pse nuk po e lejoni të takojë deputetët e tij dhe ata europianë?

spot_img

Prej 21 tetorit të vitit 2024, kreu i Partisë së Lirisë dhe ish-presidenti i vendit, Ilir Meta ndodhet në qeli, ndërkohë që jo pak herë ka denoncuar mungesën e kushteve dhe diskriminimin që sipas tij po i bëhet. E lidhur me këto pretendime të ngritura nga vetë Meta, por dhe njerëzit e afërt të tij, se ish-presidentit nuk po i lejohet që të takohet me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe as me ata të Parlamentit Europian, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i është drejtuar drejtorit të IEVP “Jordan Misja”, Arjan Bozhaj.

Përmes një shkrese zyrtare KShH ka kërkuar informacione mbi arsyet dhe bazën ligjore të këtij kufizimi, duke rikujtuar se e njëjta çështje është trajtuar edhe më herët gjatë monitorimit të burgut 313. Sipas organizatës, kufizimi i takimeve të personave të paraburgosur me deputetë ngre shqetësime për respektimin e të drejtave të garantuara nga ligji.

KShH thekson se pas rekomandimeve të mëparshme të saj ishte konstatuar një përmirësim në praktikën e ndjekur nga institucioni. Për këtë arsye, rikthimi i pretenduar i kufizimeve të njëjta kërkon, sipas tyre një sqarim zyrtar, veçanërisht nëse rrethanat kanë ndryshuar dhe mund të justifikojnë një qasje të re.

Ilir Meta i kyçur nga bota dhe i “harruar” në qeli,

Shkresa

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në përmbushje të misionit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, është vënë në dijeni të ankesave nga Z. Tedi Blushi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe Z. Ilir Meta, president i Partisë së Lirisë, nëpërmjet të cilave ngrihen shqetësime lidhur me moslejimin e zhvillimit të takimeve të këtij të fundit me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe deputetë të Parlamentit Evropian, pa u bërë me dije një vendim i arsyetuar apo baza ligjore mbi të cilën është mbështetur ky kufizim.

KShH dëshiron të rikujtojë se kjo çështje është trajtuar edhe më herët në kuadër të monitorimit të kryer në IEVP “Jordan Misja”, si dhe në rekomandimet e adresuara institucionit tuaj nëpërmjet shkresës nr. 151 prot., datë 27.04.2026, ku ndër të tjera është vlerësuar se kufizimi i takimeve të të paraburgosurve me deputetë, ngre shqetësime serioze në raport me respektimin e të drejtave të garantuara nga ligji, veçanërisht nga neni 51 i ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. Në vijim të këtij procesi monitorimi dhe korrespondencës institucionale, KShH ka konstatuar se kishte një impakt pozitiv në praktikën e ndjekur nga institucioni.

Pikërisht për këtë arsye, rikthimi i pretenduar i së njëjtës praktikë ngre shqetësim dhe kërkon sqarim për personat e përfshirë, veçanërisht nëse kanë ndryshuar rrethanat faktike që do të justifikonin një qasje të ndryshme nga ajo e ndjekur pas rekomandimeve të mëparshme. Sa më sipër, në respektim të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, KSHH do të vlerësonte informimin nga ana juaj mbi pretendimet e Z. Ilir Meta dhe Z. Tedi Blushi. Lutemi të gjeni bashkëlidhur për dijeninë tuaj, letrat e cituara më sipër”, thuhet në kërkesën e Komitetit të Helsinkit drejtuar drejtorit të burgut 313.

Lajmet e fundit