Një ditë pas vendimit të gjykatës që la në burg përjetë Naim Murselin e Granit Plaven për vrasjen e Liridona Ademajt në sy të fëmijëve të saj, gazetarja dhe aktivistja Zhaklin Lekatari ka ngritur shqetësimin për mënyrën sesi institucionet shqiptare trajtojnë dhunën ndaj grave, duke theksuar se përgjegjësia nuk u takon aktivistëve, por shtetit. Në një lidhje me Dita Jonë në A2 CNN ajo tha se dhuna ndja grave është dështim i shtetit.
“Institucionet duhet të përgjigjen, nuk duhet të përgjigjet Zhaku, nuk duhet të përgjigjen as feministët, as aktivistët të tjera. Ne mund të jemi aty, mund të jemi një grup i cili mund të adresojë problemet, mund të identifikojë problemet që vajzat kanë, mund t’i adresojë, mund t’i ndihmojë ato me NGO të ndryshme apo me grupe dhe organizime të ndryshme, të cilat veprojnë për të ndihmuar gratë në nevojë, ose grupet vulnerabër ose gratë e dhunuara. Por kjo nuk është përgjegjësia e Zhakut, kjo është përgjegjësia e institucioneve. Institucionet shqiptare duhet t’i përgjigjen gruas shqiptare. Gruaja shqiptare është gjysma e popullsisë. Është votuese, është kontribuese në ekonominë shqiptare dhe si e tillë duhet të ketë një shtet që i përgjigjet dhe i siguron lirinë”, tha ajo në Dita Jonë në A2 CNN.
Sipas saj, korrupsioni është dhunë sistemike që shtetit kryen ndaj qytetarëve, ndërsa gratë mbeten ndër më të pambrojturat, sidomos në rastet e divorceve apo dhunës në familje.
“Vendi duhet të ketë gjykata, duhet të ketë prokurori, duhet të ketë policë, duhet të ketë, duhet të ketë individ të cilët zbatojnë ligjin dhe janë të pakorruptueshëm, zbatojnë ligjin. Duhet të ketë individë të cilët nëse kanë qenë prokurorë, nëse kanë qenë gjykatës, të mos abuzojnë me ligjin dhe të mos abuzojnë me situatat familjare, në të cilat nusja kërkon divorc dhe nusja nuk merr dot vendim mbrojtje, por e merr burri që është 80 kg ndaj gruas që është 40 kg. Është detyra e institucioneve shqiptare dhe institucionet shqiptare duhet të jenë më pak të korruptuara dhe ta kenë më shumë mendjen tek problemet dhe fenomenet shoqërore, sesa te udhëtimet e tyre dhe te korrupsioni i vazhdueshëm që bëj, sepse korrupsioni dua t’ju them është dhunë sistemike që shteti kryen ndaj qytetarëve”, tha ajo.
Duke kritikuar mungesën e koordinimit të gjykatave, prokurorisë dhe policisë, Lekatari i bëri thirrje institucioneve që të kryejnë detyrat, pasi në në kundërt përgjegjësia bie mbi gratë.
“T’i bëjmë thirrje institucioneve që të kryejnë detyrat e tyre dhe të bëjnë punën e tyre dhe të kenë kujdes që prokuroria, gjykata dhe policia të jenë të koordinuara dhe jo të jenë si tre motra që nuk flasin njëra me tjetrën, duke e vështirësuar jashtëzakonisht drejtësinë dhe sidomos drejtësinë e grave që janë të divorcuara, që janë vulnerabël dhe që nuk vijnë nga familje të pasura. Duke rënë në qafë, po duke mos pasur një koordinim, mirëkuptim të institucioneve dhe totalisht përgjegjësinë e tyre, i bie që e gjithë popullata dhe kryesisht ngjarjet që kanë ndodhur me fokusin tek gruaja janë ato që e pësojnë. Pra, duke u zvarritur çështjet, duke qenë të anashkaluara”, theksoi ajo.
Lekatari ngriti shqetësimin për zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe dënimet e ulëta për krimet ndaj grave, duke theksuar se drejtësia shpesh nuk arrin të japë përgjigjen e duhur.
“Nuk e di nëse ju vjen ndërmend ndonjë rast i drejtësisë shqiptare në të cilën një burrë është burgosur për jetë për vrasjen e një gruaje. Ka vetëm një rast, Artur Këlliçi. Ndërsa gjykata në Shqipëri vepron ndryshe dhe dënimet janë shumë më të ulëta, janë 15-20 vjet. Ndërkohë personi që ne kemi humbur, nuk kthehet më. Prandaj po kjo është një shkulje veshi për drejtësinë shqiptare që të funksionojë në mënyrë sa më serioze dhe të mbështesë gruan dhe të fillojë të luftojë kundër vrasjes së gruas. Një në tre gra kuptojnë dhunë gjatë jetës së tyre. Një në tre gra. Unë jam shumë e revoltuar ndaj institucioneve shqiptare që nuk e bëjnë punën e tyre ashtu siç duhet”.
Ajo solli në vëmendje faktin, ku dhuna shpesh justifikohet si çështje private brenda familjes, ndërsa duhet trajtuar si një problem i shëndetit publik. Sipas saj, pasojat e dhunës janë të shumta, duke përfshirë ankthin, depresionin dhe probleme të tjera fizike e mendore.



