Disa miliarderë ëndërrojnë të shpenzojnë pasuritë e tyre në jahte ose ishuj privatë. Por jo Xavier Nieli. Manjati francez i telekomunikacionit dhe teknologjisë shpreson të bëhet një ditë kryebashkiak i Parisit. Kështu ka zbuluar ai në librin e tij të kujtimeve me titullin “Une sacrée envie de foutre le bordel” (apo në shqip: Një dëshirë e tmerrshme për të bërë rrëmujë). “Do të më vinte në kontakt me francezët”- tha Nieli, i cili sipas radiostacionit “FranceInter” ka një pasuri neto prej rreth 10 miliardë euro.
Në librin të cilin e shkroi me ish-nënkryetarin e bashkisë së Parisit Jean-Louis Missika, miliarderi tha se të qenit kryetar bashkie do të ishte “e shkëlqyer“. Xavier Nieli bëri emër dhe e fitoi pasurinë e tij në botën e telekomunikacionit, përmes ofruesit të parë të internetit të themeluar në Francë në vitin 1993. 57-vjeçari, i lindur në periferinë pariziane të Maisons-Alfortit, vazhdoi më tej duke themeluar kompaninë e telekomunikacionit “Iliad”, e cila është kompania mëmë e “Free”, një prej ofruesve më të mëdhenj francezë të internetit. Ai është gjithashtu një investitor i madh në mediat franceze: një bashkëpronar i “Le Monde”, gazetës së përditshme franceze, dhe një investitor në “Telegram”, aplikacioni i mesazheve themeluesi i të cilit Pavel Durov u arrestua në Paris në fund të muajit gusht (lexo këtu). Në shtator, ai u bashkua gjithashtu me bordin e grupit kinez “ByteDance”, i cili zotëron platformën sociale “TikTok”.
Për sa i përket mënyrës se si do të qeverisë, Niel tha se ai ka ide për “Grand Paris” (apo Parisin e Madh), një projekt i punëve publike që synon të lidhë më mirë kryeqytetin francez me rajonet në periferi të tij. “Nuk jam i sigurt nëse do të jem në gjendje të bëj më mirë se të tjerët, por do të doja të përdorja paratë e mia për të ndihmuar qytetin tim, siç bëri Mike Bloomberg, biznesmeni që u bë kryebashkiak i Nju Jorkut”– tha ai sipas Politico.eu.
Gara e radhës për kryetar bashkie për kryeqytetin francez është planifikuar për vitin 2026. Kryebashkiakja aktuale Anne Hidalgo ka të ngjarë të përballet me ministren e Kulturës Rachida Dati, e cila ka njoftuar tashmë planet për të kandiduar. Megjithatë, duket se Nieli është filozofik në lidhje me realitetin e shanseve të tij, duke e përshkruar idenë si “një ëndërr që unë mund ta çmoj”. Për momentin, dikush i një brezi të ri ndoshta do të ishte më i përshtatshëm tha ai në libër: “Ne do të kemi nevojë për një kryetar bashkie të ri, të ndryshëm, e kundërta e asaj që unë përfaqësoj”.
Ish-hakeri pa diplomë por që bëri miliarda, kush është Xavier Niel
Xavier Niel lindi në Creteil, Francë, më 25 gusht 1967, nga një baba që studionte drejtësi dhe mjekësi dhe një nënë që mbante familjen si kontabiliste. Ai e filloi karrierën e tij në moshën 16-vjeçare, kur e la shkollën e mesme dhe krijoi shërbime bisede për chatin “Minitel”, një pararendës francez i asaj që e njohim sot si “World Wide Web”. Ai nuk shkoi kurrë në kolegj por përmes kësaj kompanie, ai arriti të bëhej milioner në moshën 24 vjeçare.
Revista Bloomberg shkruan se ky biznes bëri që Nieli të krijonte një sërë kompanish, duke përfshirë disa për shërbimin e bisedave erotike të quajtur “Minitel Rose”. Ai i shiti shumicën e tyre në vitin 1997, me përjashtim të dy prej tyre: një në Paris dhe një në Strasburg. Mbajtja pas tyre doli e mundimshme shtatë vjet më vonë, kur policia franceze bastisi banesën e tij dhe e burgosi atë në pritje të akuzave për tutor dhe evazion fiskal. Ai u gjobit me 250 mijë euro për të ardhura të padeklaruara dhe u lirua nga akuzat e prokurimit, duke iu shmangur dënimit me dy vjet burg.
Më vonë në vitin 1991, Niel bleu “Fermic Multimedia”-n, një kompani e specializuar në softuerë pasi kompania “Minitel” ishte në prag të falimentimit. Ai e përdori atë për të krijuar “3617 Annu”, shërbimi i parë që lejoi përdoruesit e “Minitelit” të gjenin emrat e bashkangjitur në numrat e telefonit. Ai investoi në “Worldnet” dy vjet më vonë, ofruesi i parë francez i shërbimit të internetit dhe shtatë vjet më vonë i shiti aksionet e tij për 40 milionë euro.
Në vitin 1999, miliarderi prezantoi “Free”, një ofrues shërbimi interneti që pati sukses të shpejtë duke u ofruar klientëve një modem aksesi falas dhe duke tarifuar për një shërbim interneti dial-up me zbritje. “Free” është tani ofruesi i dytë më i madh i shërbimit të internetit në Francë. Ai e zgjeroi biznesin duke krijuar dhe “Freebox”, aparatin e parë dekoder që ofronte telefon, internet dhe televizion përmes një shërbimi në vitin 2002. “Iliad” e cila është kompania mëmë e “Free”-së u listua në bursën e Parisit në janar të vitit 2004. Nieli prezantoi shërbimin e parë të telefonisë celulare të kompanisë në vitin 2012. Shërbimi ofronte thirrje dhe të dhëna të pakufizuara për 20 euro në muaj dhe një plan dy euro që përfshinte dy orë telefonata në muaj.
Nieli iu bashkua një partneriteti investimi që bleu dy të tretat e gazetës së përditshme franceze “Le Monde” në vitin 2010. Ai krijoi dhe “Kima Ventures”, një fond investimi që investon në 50 deri në 100 biznese fillestare në vit. Biznesmeni francez zotëron gjithashtu katalogun e botimeve muzikore të këngëtarit Claude Francois, i cili shkroi këngën “Comme d’habitude”, melodinë e saj të bërë të famshme nga Frank Sinatra me versionin e tij të përkthyer në anglisht “My Way”.
Xavier Niel lançoi “42”, një universitet falas i teknologjisë së informacionit që synon të trajnojë 1000 zhvillues webi në vit, në mars të 2013-ës. Ai njoftoi në 2016-ën dhe krijimin e inkubatorit dixhital më të madh në botë. Nieli jeton në Paris. Ai është në lidhje me Delphine Arnault, vajzën e miliarderit francez Bernard Arnault. Ai ka një vajzë me të dhe dy djem nga një lidhje e mëparshme.