24.5 C
Tirana
E enjte, 25 Korrik, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Ja si mposhtet Edi Rama

    Nga Edison Ypi

    Harroje se Edi Rama mposhtet me rrena, ngrefosje qesharake, kërcënime revolucionare. Me të tilla Edi Ramës nuk i shkul dot asnjë qime sume. Veçse dënon veten me opozitë të pafundme.

    Vepro me mënyra efikase. Për shembull, gjej një Gjyshe me stirpe veneciane të mësojë Italisht dhe frëngjisht, si dhe bazat e qytetërimeve përkatëse, para se të shkosh në shkollë, para se të bësh 6 vjeç. Mund të thuash se gjyshet nuk ndërrohen, secili ka gjyshen e vet. E ke gabim. Gjyshet dhe gjyshat venë e vinë. Vetëm koka jote prej guri nuk lëviz nga istikami i budallallëkut. Futju Ajnshtajnit. Mëso sekretet e udhëtimit në kohë.

    Kthehu ca dhjetra vite mbrapsht. Ndërro gjyshen tënde katunare njëpërdorimshe, me një gjyshe madhështore universale si të Edi Ramës, të qytetëruar, të iluminuar, aristokrate të gjithdijshme, poliglote, pra të paisur me mjetet më të fuqishme që ndryshojnë Botën, të ta mësojë gjyshja tjetër si ta hedhësh në erë Edi Ramën.

    Kushti tjetër për ta dërrmuar Edi Ramën është të jesh jo më pak se 2.2 metra i lartë, dhe ta kesh numurin e këpucës mbi 45. Mos pyet pse e si e qysh. Zmadho putrën, zgjatu duke u varur në tavan me një litar pa stol.

    Ose, për ta sikterisur Edi Ramën, bëj ndonjë gjë që bie në sy. Për shembull, thuaji publikisht ca të vërteta që asaj, qeverisë, s’i vinë për shtat. Qeveria mund të rrijë indiferente ndaj rrenave të veta, por s’mundet edhe ndaj të vërtetave të tua.

    Do durojë sa do durojë, dhe do të përdori ndaj teje një mjet të dalë nga Xheheneti, një cilindër druri, hurin, dhe do të rrahi paq. Aq fort, sa s’ke për ta harruar kurrë. Si do e kombinosh rrahjen me pasionin për ta shkatërruar një herë e mirë Edi Ramën, gjeje vet.

    Ti që dashnore të parë pate dhinë e katundit, nuk mund ta mposhtësh Edi Ramën pa u kthyer te një adoleshencë dhe rini prej kontestatori, zevzeku, antikonformisti, gjithë kohës mbi libra. Për këtë, ktheju dhe një herë Ajnshtajnit dhe relativitetit.

    Zotësia për të shkruar me cilësi aq të lartë sa një presje e gabuar të duket fundi i botës, është kusht i pa negociueshëm për ta rrëxuar Edi Ramën nga froni i lartë drejt e në dysheme. Kusht i vështirë për tu plotësuar ky. Megjithatë provoje. S’ka kala që s’e marrin komunistat. Noc Rrokun do arrish. Por të paktën do heqësh merakun.

    Ta duash vërtet Teatrin sa të mos mendohesh dy herë për t’i vënë kazmën dhe tritolin atij të vjetrit, atij propagandistikut, atij të mediokritetit, kriminalitetit, turpit, edhe ky është një kusht i domosdoshëm për ta sikterisur Edi Ramën. Për ta plotësuar këtë kusht hidh në erë trurin tënd. Pa merak. Nuk lypset Ajnshtajn.

    Sado të rrej menia se je orator i mbaruar, pa mësuar të flasësh bukur, qartë dhe saktë, para publikut, Ramës nuk i shkul dot qimen e flokut. Ose ndoshta ja ahkul, por me ato 300 fjalë shqip që ke mësuar nëpër mitingje dhe kafenera të duhen 300 vjet. Megjithatë provoje një herë. Ku i dihet. Çdo gjë bën vaki me ty që që të ka shkrepur të bësh të pamundurën duke mposhtur Edi Ramën.

    Ka dhe kushte të tjera që duhet të plotësosh për ta shkelmuar Edi Ramën:
    Të mos u imponohesh njerzve me hu e dru, por me durim e respekt, duke u kujdesur të jesh i vëmendshëm, i përmbajtur.

    Të kesh zotësinë të bëhesh i pranueshëm për të gjitha komunitetet, të gjitha nivelet, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Jo me legena si puna jote që mbajnë hapsat e kashtës, por nga njerëz seriozë dhe të rëndësishëm që kanë në dorë fatet e botës.

    Të japësh e të marrësh me të gjithë. Për të mirën e Shqipërisë, të bësh foto dhe video e të llafosesh e të hash e të pish me vetë Djallin. Të hysh e të dalësh edhe me serbë dhe grekë, që ti ngrehaluci i neveritshëm dhe i papërfillshëm që i vë zjarrin Shqipërisë për pas lek, thua se me ta nuk duhet fol, sikur demek ky qëndrim dëmton ata dhe të nderon ty që nga përballja sy më sy me ta 10 gjak. Provoje një herë se edhe mund ta bësh. Përndryshe, je nis me largu Ramën, ke asgjësu veten.

    Të kesh aftësinë të bësh të mundur çudinë e çudirave para të cilave mposhtja e Edi Ramës duket punë çiliminjsh: ti bashkë me zorraxhinjtë dhe komunistat që të rrethojnë, si dhe klientelistat, regiionalistat, nepotikët, mercenarët, domethënë të gjithë llumin e Kombit, të arrini të pushtoni simpatinë dhe miqësinë e ndonjë partie europiane të kundërt ideologjikisht me atë barraken që s’latë gur pa hedhur e molotov pa shpërthyer derisa e shembët dhe e hodhët në muzeun e rraqeve të Politikës.

    Të kesh dhuntinë fenomenale të bindësh qeveritë e Europës, Amerikës, Botës, institucionet e tyre, të bësh të pabërën, të paimagjinueshmen, të pa ëndërrueshmen, të bindësh miliona qytetarë të tyre të vinë turista në Shqipëri ta mbushin Rinasin me aeroplana si mizat e lisit, ta bësh Shqipërinë këmb-e-turist sa t’mos kesh ku t’hedhësh kokrrën e mollës, të mahniten me bukurinë e Natyrës, ushqimin, mikpritjen, detin blu, qiellin e kaltër – edhe kjo është një mënyrë për ta ulur Ramën nga piedestali mbas 12 vjetësh. S’do jetë keq. Por s’ka për të ndodhur. Se Edi Rama është një qytetar shembullor, ndërsa ti që do ta largosh je një shpellar i pandreqshëm, një i sëmurë psiqik i pashërueshëm.

    Edi Rama nuk është Zeus që rrafshon male, sjell erëra, ndal shira, dhe ti duke e kqyrur dëshpërohesh e ligesh e thua me vete se Edi Rama nuk mposhtet.

    Prit edhe nja 40 vjet derisa të paktën ndonjëri nga kushtet e mësipërme të plotsohet dhe të japi frutat e duhura. Në mos, kur të bindesh se ti shejtanbudallai rrenacak dhe frikacak Edi Ramës nuk i heq dot asnjë cifël, nuk i bën dot asnjë dëm, me një brisk dhe pak shkumë, bëji Edi Ramës shërbimin higjenik të rradhës.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit