Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji, gjatë një interviste mediatike në Report Tv, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, kryesisht të lidhura me protestën që po mbahet prej 37 ditësh në vendin tonë.
Referuar deklaratave të Sali Berishës, se i mbështet kërkesat e protestuesve, Salianji tha se kryedemokrati duhet të japë dorëheqjen sepse edhe kjo është një prej kërkesave të qytetarëve.
“Po bie një mit që shqiptarët nuk ngrihen. U organizuan vetë dhe qytetarët po godasin një themel një sistem biznesi me dy ortakë. Njerëzit po ngrihen për problemet e tyre, jo pse më goditi aty, pse s’mu dha leja pak më parë. Secili del për problemin e tij, në thelb po çohen dhe po ngrihen për të drejtat dhe liritë themelore.
Këto politikisht Rama rrëzohet, ose Berisha ikën. Në teori, por edhe me atë që ka treguar historia, qeveritë rrëzohen me protesta masive paqësore. Në autokraci e mban secili me forcë, kapen pas karriges këta dhe nuk lëvizin. Prandaj duhet të jetë aq pjesëmarrje që të largohen. Ky paradite shan protestues, pasdite thotë jam me kërkesat e tyre. Jep dorëheqjen, nëse je me ata. Kur autokrati nuk tërhiqet duhet të japë shembull drejtuesi i opozitës. Tha bashkohem me kërkesat e protestuesve. Kërkesat janë të iki Rama dhe Berisha”, tha Salianji.
Po ashtu Salianji tha se edhe prezenca e shumë deputetëve në protestë ku bëhet thirrje për largimin e Berishës, është një sinjal se ata janë kundër kreut të Partisë Demokratike.
“Demokratët që dalin në shesh, janë demokratë që bashkohen me thirrjet për largimin e Berishës. Edhe deputetët që shkojnë atje, nuk ia thonë drejtpërdrejtë largohu, por ia thonë në mënyrë të tërthortë duke marrë pjesë në protestë. Sot paterica që e mban Ramën të rrijë aty, është Berisha. Rama e përdor si gogol, mirë të iki unë, po kush të vijë gogoli. Unë shikoj dhe shpresoj që Rama të dëgjojë thirrjet e qytetarëve dhe të dorëhiqet, po ashtu të dëgjojë dhe Berisha për të përshpejtuar rënien e Ramës. Sot jemi në një situatë ku duhet të marrë zë dhe jehojë thirrja e qytetarëve për heqjen e Ramës”, vijoi Salianji.



